Maqedonci e Jashari takuan komandantin e Komandës së Forcave Aleate të NATO
Sh.Gashi/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar nga komandanti në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
“Në takim u bisedua për çështjen e sigurisë në vend, ku ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari shprehën mirënjohje të thellë për punën, përkushtimin, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është me interes për të gjithë” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në veçanti, ata shprehën falënderim për mbështetjen e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pas agresionit dhe sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator.
“Ministri Maqedonci theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet si dhe vendosmërinë e palëkundur në rrugën tonë euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes .
Gjithashtu, në këtë takim u rikonfirmua gatishmëria për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së me KFOR-in, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
























