Hovenier thotë se Asociacioni nuk duhet të përmbajë kompetenca ekzekutive
A.B/RTKlive
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë me “Bloomberg”, tha se themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të ndodh urgjentisht’.
Duke folur për ngjarjet e fundit në vend, Hovenier iu kthye sërish Asociacionit – kërkesë kjo e kahershme amerikane – për të cilën tha se “komuniteti serb në Kosovë ka një numër shqetësimesh dhe Asociacionin e shohin si një mënyrë që ndihmon në adresimin e atyre kërkesave”.
Megjithatë, Hovenier thotë se një Asociacioni i tillë nuk duhet të përmbajë kompetenca ekzekutive dhe “duhet të ketë kufizime, sepse ne besojmë se pa këto kufizime mund të bëhet diçka problematike ose burim destabiliteti”.
“Për Kosovën, kjo do të thotë se do të duhet të lëvizë më herët se sa disa do të donin në obligimin e saj në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe [ASM]. Komuniteti serb në Kosovë ka ende një numër shqetësimesh dhe ata e shohin ASM-në si një mënyrë për të ndihmuar në adresimin e këtyre shqetësimeve. Ne jemi dakord. Ne gjithashtu besojmë se ASM duhet të ketë kufizime, sepse ne besojmë se pa këto kufizime mund të bëhet diçka problematike ose burim jostabiliteti në vend të stabilitetit në rajon” ka theksuar ai.
Ai tha se beson se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës. “Ne besojmë se duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ne besojmë se duhet të jetë në përputhje me letrën e Mogherinit që u dërgua. Asnjë autoritet ekzekutiv. Ne mendojmë se brenda këtyre kufizimeve ka hapësirë që qeveria e Kosovës të bëjë veprime që do t’i përgjigjen shqetësimeve legjitime të komunitetit etnik serb, dhe mendojmë se ky është një element i asaj që duhet të ndodhë urgjentisht” , tha diplomati amerikan.
Hovenier në një intervistë për Bloomberg ka folur rreth propozimit të Presidentes Vjosa Osmani e cila tha se Kosova duhet ta përgatis me SHBA’në draft statutin e Asociacionit. Sipas diplomatit amerikan nëse Kosova fillimisht dëshiron ta ndajë propozimin e saj me SHBA një gjë e tillë do të mirëpritej.
“Unë e shoh rolin e SHBA në këtë mënyrë siç e shoh rolin e SHBA në pjesën tjetër të dialogut. Pra, nëse qeveria e Kosovës dëshiron të parashtrojë idetë e saj se si të ecë më mirë përpara me një proces të besueshëm për themelimin e një Asociacioni duke përfshirë dhënien e ideve ose një draft aktual të një draft statuti, ne do ta mirëpresim këtë. Dhe nëse qeveria e Kosovës dëshiron ta ndajë këtë fillimisht me Shtetet e Bashkuara për reagimet tona, kjo është në rregull. Do ta mirëprisnim edhe atë” ka theksuar Hovenier.
Në lidhje me sulmet e grupit paramilitar në Banjskë që u udhëhoqën nga Milan Radoiçiq, dhe marrjen e përgjegjësisë për sulmet terroriste nga ky i fundit, Hovenier u shpreh se “nuk besoj se këto do të jenë fjalët e fundit mbi këtë”.
“Ne jemi në dijeni se ai ka thënë se e ka bërë këtë vetë. Ne nuk besojmë se kjo do të jetë fjala përfundimtare për këtë”, tha Hovenier. “Puna duhet të vazhdojë për të përcaktuar përgjegjësinë përfundimtar”.
Sipas diplomatit amerikan hapat e mëpastajmë do të bëheshin në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Në fund të ditës, megjithatë, ne do të duhet të punojmë me Bashkimin Evropian sepse kjo do të merret në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE. Por çdo përpjekje që dëshiron të bëjë qeveria e Kosovës për të treguar se si do ta realizonte këtë vizion dhe do ta përmbushte këtë angazhim do të ishte një hap pozitiv dhe ne do ta mirëprisnim atë” ka theksuar ai.
Intervista e plotë në Bloomberg:























