MPJD: Tetë kosovarë janë larguar nga Izraeli, në pritje edhe shtatë tjerë
A.B/RKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Republikës së Kosovës.
“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në përgjigjen për RTKlive.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjencioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së.
“Nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Republikës së Kosovës që ka humbur jetën apo është apo është lënduar”, thuhet në përgjigjen për RTKlive
MPJD i bënë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë numrin e mëposhtëm emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael +9720586340450.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit, Igli Hasani, për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar”, thuhet në përgjigjen për RTKlive.























