Osmani thotë se Serbia është autore e krimit terrorist të 24 shtatorit
BKT
Foto/RTK
Lajme

Osmani thotë se Serbia është autore e krimit terrorist të 24 shtatorit

Medina Pasoma & Afet Bela/ RTKlive

(E përditësuar, ora 12:35) Presidentja Vjosa Osmani ka treguar natyrën e provave të cilat tashmë institucionet hetimore vendore i kanë identifikuar lidhur me autorësinë e shtetit serb në sulmet terroriste të 24 shtatorit në veri të vendit.

“Provat janë të katër natyrave të ndryshme, të parat janë prova të cilat i kemi mbledhur qe disa muaj rresht, që kanë të bëjnë me financimin e drejtpërdrejtë nga shteti serb të çdo anëtari të dy organizatave terroriste. Për këto provat janë mbledhur qe një kohë të gjatë dhe shteti serb as nuk e fsheh një gjë të tillë, pra e bëjnë me vendime zyrtare të nënshkruara nga zyrtarët e lartë shtetëror. Financimi ka ndodhur qe një kohë të gjatë”, ka thënë ajo.

Prova e radhës ka të bëjë me trajnimin e grupeve terroriste në baza ushtarake si Rashka.

“Tashmë kemi edhe video incizime nga dronat që terroristët ikën nga Kosova i kanë lënë prapa, ekzistojnë video incizime të këtyre trajnimeve ku Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe i kanë trajnuar në vazhdimësi anëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’, si dy organizata terroriste. Shteti serb nuk po e mohon madje në një deklaratë të ministrit të Mbrojtjes e kanë pohuar një gjë të tillë”, ka thënë Osmani, raporton RTKlive.

Tutje ajo ka përmendur edhe çështjen e armëve, të cilat janë kontrabanduar qe disa muaj nëpërmjet rrugëve ilegale në veri të vendit, grupi terroristë që përafërsisht janë 100 persona. Madje këtë e kanë bërë nëpërmjet operacioneve duke përdorur automjete të blinduara por me shkrime të falsifikuara të KFOR-it

“Nga ajo çka kemi konfiskuar dëshmohet se shumica dërrmuese është prodhuar në industrinë ushtarake serbe dhe bazuar në parimin ku shteti ka kujdestarinë e vetme të armëve. Ato armë mund të merren vetëm e vetëm në ushtrinë serbe dhe industrinë ushtarake serbe, të prodhuara në masë të madhe në vitin 2022”, ka thënë Osmani.

Osmani: Kroacia garanton përkrahjen ndaj Kosovës pas sulmeve terroriste

(E përditësuar 12:25) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka marrë përkrahjen e Presidentit kroat, Zoran Milanoviq për situatën e krijuar në Kosovë pas sulmeve terroriste të grupeve serbe në veri.

“Presidenti Milanoviq shumë qartë e dëshmoi, e ritheksoi edhe njëherë përkrahjen e tij si president i Kroacisë edhe në raportet me ngjarjet e fundit dhe sfidat e sigurisë me të cilat po ballafaqohet Kosova pas aktit e agresionit të 24 shtatorit”, tha ajo si përgjigje ndaj gazetares së RTK-së.

Tutje tregoi se Kroacia nëpërmjet përkrahjes së Republikës së Kosovës e përkrah paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë. Tha se Kroacia punon që rajoni i Ballkanit Perëndimor të ec para, e jo ta kthej rajonin prapa në vitet e 90’ta.

Osmani: Frenimi i Serbisë i domosdoshëm si masë parandaluese për të ardhmen

(E përditësuar 12:15) Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë për sanksionim ndaj Serbisë, duke thënë se mos veprimi do të sjellë inkurajimin e tyre për sulme ndaj Kosovës.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe frenimi e sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”, ka thënë ajo nga konferenca në Kroaci.

Osmani ka theksuar se tashmë sipas të gjitha provave, qëllimi i grupeve terroriste që sulmuan Kosovën më 24 shtator ka qenë aneksimi i veriut, raporton RTKlive.

“Nëse nuk merren masa nga komuniteti euro atlantik, Serbia do të ndihet më e inkurajuar për të vazhduar me akte e sulme tjera me qëllimin përfundimtar, me atë që është dëshmuar nga të gjitha provat, aneksimi i veriut të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Tutje ka thënë se  Kosova mbetet e palëkundur në vizionin dhe përpjekjet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar se Kosova po punon për synimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, duke i njohur ato edhe si garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në gjithë rajonin

Osmani për sulmin terrorist: Presim qartësi strategjike nga ndërkombëtarët

(E përditësuar 12:10) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga konferenca e përbashkët me homologun kroat, ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.

“Kosova në periudhën e fundit po përballet me një prej situatave më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia. Shpresoj që partnerët ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovës por gjithë rajonit”, ka thënë Osmani, raporton RTKlive.

Milanoviq: Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq tha se Serbia duhet t’i japë disa përgjigje, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. Milanoviq tha në një konferencë të përbashkët për media se në bazën e ushtrisë serbe ku u dëshmua se është stërvitur grupi terrorist duhet aprovim për t’u futur aty.

“Për t’u futur aty brenda, duhet të kesh aprovimin e dikujt. Armët, trajnimet, xhirimet që kanë lënë, të gjitha këto gjëra kanë mbetur në dispozicion të Kosovës. Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë, “natyrisht me çmim shumë të madh. Janë krijuar shumë vrasje, gjëra të ndryshme, komplote”, tha ai ndër tjerash, duke iu referuar Serbisë”, tha ai.

Sipas tij pozicionet tona janë të qarta. "Serbia duhet të japë përgjigje për disa gjëra që janë të dukshme dhe që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as një fëmije të vogël", tha ai.

Osmani: Presim mbështetjen e Kroacisë në këtë sfidë të rëndë të sigurisë

Tutje Osmani ka ngritur paralele mes Kroacisë e cila është përballur me agresionin serb në vitet e 90’ta dhe mes Kosovës që po vazhdon të ndjejë këtë agresion edhe sot.

“Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën po përballemi, kush më mirë se Kroacia. Kroacia në fillim të viteve të 90’ta u përball me grupet paramilitare serbe që kishin mbështetjen politike, financiare, organizative dhe ushtarake nga regjimi i atëhershëm në Beograd. Ndaj siç ka qenë deri më tani, presim mbështetjen e Kroacisë në këtë sfidë të rëndë të sigurisë, e cila nuk synon destabilizimin  vetëm të Kosovës por mund të ketë pasoja shumë më të gjera”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.

Osmani: Kosovën e Kroacinë i lidh përpjekja për liri dhe shtet|Video|Foto

(E plotësuar, ora 11:55) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zagreb pas pritjes me  nderime të larta shtetërore nga homologu kroat, Zoran Milanoviq dhe takimeve të dy delegacioneve, dy homologët kanë mbajtur konferenca për media.

E para e vendit tha se Kosovën e Kroacinë i lidh përpjekja për liri dhe shtet.

Osmani gjatë konferencës ka theksuar se përpjekja për liri e shtet kanë qenë pikëtakimi i përbashkët mes dy vendeve.

Tutje ka veçuar faktin që pjesë e ushtrisë kroate për çlirim kanë qenë shumë të rinj shqiptar. Osmani ka përmendur edhe bashkëpunimin ekonomik i cili vazhdon të jetë i frytshëm mes dy vendeve, raporton RTKlive.

“Me Kroacinë deri tash kemi 39 marrëveshje dhe 10 të tjera priten të nënshkruhen. Aktualisht operojnë diku 160 kompani kroate me qindra të punësuar në Republikën tone. Ka pasur progres për bashkëpunimin ekomomik ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja  e vendit ka thënë se komuniteti shqiptar në Kroaci dhe komuniteti kroat që jetojnë në Kosovë janë vlerë e shtuar.

Osmani pritet me nderime të larta nga Kroacia|Video|Foto

Elmina Osmani/ RTK/ Zagreb

(E plotësuar, ora 11:25) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zagreb është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu kroat, Zoran Milanoviq.

Pas takimit në mes presidentëve është mbajtur takim i dy delegacioneve.

No description available.

No description available.

No description available.

 

No description available.

Kroacia pret presidenten Osmani|Video|Foto

(E plotësuar, ora 09:52) Kroacia Zyrtare i ka bërë të gjitha përgatitjet për të pritur presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Presidentja Osmani sot do të takohet me liderët e Kroacisë ( Ora, 06:16)

Afet Bela/ RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, do të ketë disa takime të nivelit të lartë.

Sipas agjendës e para e shtetit sot në orën 10:00, do të pritet me një ceremoni zyrtare dhe nderime të larta shtetërore nga presidenti kroat Zoran Milanoviq, ku pastaj do të ketë takim teta-a-tete me të, raporton RTKlive.

Nga ora 11:00 do të ketë takime mes presidentëve me delegacione, ndërsa nga ora 11:30 do të mbahet një konferencë e përbashkët për media.

Osmani do të vazhdojë më takimet e tjera, ku nga ora 12:35–13:00, do të ketë takim me kryetarin e Kuvendit Gordan Jandrokoviq, ndërsa nga ora 13:05 takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.

Sipas njoftimit nga zyra e Presidentes, fokus i diskutimeve do të jetë thellimi i mëtejmë i raporteve bilaterale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite zyrtare, presidentja Osmani do të ketë vizitë edhe në komunën e Rjekës, ku ndër të tjera, do të takohet me komunitetin shqiptar në këtë komunë. Ajo do të vizitojë edhe Karllovacin.

Zyra e presidencës kroate njofton se Presidenti Milanoviq dhe presidentja Osmani Sadriu do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore, raporton RTKlive.

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve”, njofton presidenca kroate.


MË SHUME NGA Lajme