Maloku dhe Szunyog flasin për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë
SH.Ç/RTKlive
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, është takuar me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog me bashkëpunëtorë.
Në fokus të takimit të Malokut me Szunyog ishte diskutimi për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të sistemit prokurorial dhe mekanizmave të Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me zbatimin e sundimit të ligjit dhe angazhimet e tjera me interes të përbashkët.
“Maloku informoi nga afër Szunyog për zhvillimin e aktiviteteve që po bëhen për realizimin e obligimeve që dalin në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilat kanë të bëjnë, përveç të tjerave, me fuqizimin e transparencës publike, efektivitetin, efikasitetin dhe llogaridhënien gjatë procesit të punës”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, shefi e BE-së në Kosovë, theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Zyrës së BE-së në Kosovë për të ofruar ndihmën e nevojshme drejt fuqizimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.
Szunyog ka theksuar se kjo duhet të bëhet sipas standardeve evropiane. “Ritheksoi se pavarësia dhe llogaridhënia e sistemit prokurorial është një gurthemel i shtetit të së drejtës”, tha ai.
Në takim të dy bashkëbiseduesit shprehën vlerësimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.























