Radosheviq përfundoi dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Valjeta Shala/RTK
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka vazhduar dëshminë dëshmitari i 28 Nebojsha Radosheviq, ish-reporter nga Kosova i Agjencisë Shtetërore Serbe të lajmeve, Tanjug. Ndërsa këtë të martë nisi dëshminë edhe dëshmitari i 29-të në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Edhe sot vazhdoi marrja në pyetje nga pala mbrojtëse e dëshmitarit të Prokurorisë, Nebojsha Radosheviq, ish-reporter i Tanjugut, i cili është dëshmitari i 28-të në gjykimin në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas dëshmisë, Radosheviq tha se për ish-presidentin Hashim Thaçi ka dëgjuar vetëm pas lirimit të tij teksa nuk është takuar asnjëherë as me Jakup Krasniqin.
“Ju keni thënë se për Thaçit keni dëgjuar kur jeni liruar dhe ishte një flet arrest i lëshuar për të dhe më pas filluan të dilnin edhe emra të tjerë. Ju pra nuk i keni parë këta persona gjatë ndalimit tuaj. Po ose Jo?”, oyet Gregory Kehoe, avokat mbrojtës i Thaçit.
“Unë kur kam dëgjuar për të, ishte pas lirimit tim. Nuk kam parë asnjë prej tyre atje. Me sa di unë, nuk i kam parë", përgjigjet, Nebojsha Radosheviq, dëshmitari i 28-të.
Avokati mbrojtës i Thaçit, pyeti dëshmitarin nëse është e vërtetë se kishte parë nga dritarja një polic, i cili ishte keqtrajtuar nga UÇK-ja ashtu siç kishte thënë Radosheviq.
“Po e rrihnin dhe po e pyesnin se pse nuk fliste në shqip. E rrahën për disa minuta edhe e sollën në dhomën ngjitur me tonën. E rrahën edhe një polic për disa orë me radhë dhe i dëgjuam britmat”, Nebojsha Radosheviq, dëshmitari i 28-të.
Sipas dëshmisë, Radosheviq pretendon se ishte ndaluar për 41 ditë nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1998, së bashku me fotografin e tij Vlladimir Dobriçiq. Megjithatë, Radosheviq theksoi gjatë së martës se pjesa më e madhe e trajtimit nga pjesëtarë të UÇK-së ishte korrekte.
Pas përfundimit të dëshmisë, nën masat mbrojtëse nisi dëshminë edhe dëshmitari numër 29 në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Pasi nisi seanca e hapur, kërkoi ndërprerjen për siç tha se nuk po ndihet mirë me shëndetin, si dhe kërkoi të konsultohet edhe me avokatin e tij.
Më pas, seanca vazhdoi e mbyllur.























