Tahiri kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë
E. Hoti / RTKlive
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka kërkuar reagim ndërkombëtar për sulmin terrorist në veri të Kosovës.
Tahiri në fjalimin e tij ka pyetur se cili do të jetë qëndrimi i KE-së dhe kur do të reagojë ky institucion.
"Shumë institucione, përfshirë ato të BE-së dhe SHBA-ve, kanë reaguar. Andaj cili do të jetë qëndrimi i Këshillit të Evropës, kur do të reagojë ky institucion? Dhe çfarë mendoni për hetimin ndërkombëtar për të dëshmuar përfshirjen e Serbisë në këto sulme në Kosovën e pavarur", ka pyetur Tahiri.
Në pyetjen e Tahirit është përgjigjur ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Krishjanis Karnish.
“Pikëpamja ime si ministër i Punëve të Jashtme të Latvisë, është që natyrisht të ndërmerret hetimi, dhe nëse del të jetë e vërtetë që ka pasur përfshirje nga jashtë, si sulm i organizuar nga një shtet, apo vet shteti, kjo e bënë edhe më shqetësuese. Vendi im e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ne e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian, si demokraci, por 34 nga ne në këtë Këshill duhet gjithashtu të kemi përshtypje të ngjashme, si dhe 12 që nuk janë këtu”, ka thënë Karnish.























