Blinken: SHBA-ja gjithmonë do ta ndihmojë Izraelin
BKT
Lajme

Blinken: SHBA-ja gjithmonë do ta ndihmojë Izraelin

Sh.Ç /RTKlive

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po qëndron në Izrael, i është drejtuar mediave në një konferencë të përbashkët me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se përderisa do të ekzistojë SHBA-ja, Izraeli nuk do të mbrohet kurrë i vetëm, në një vizitë që ka bërë në Tel Aviv të enjten. Blinkeni është shprehur mirënjohës për kthimin në Izrael “në një moment shumë të vështirë për të gjithë botën”.

“Është e pamundur për mua që të shikoj fotot e familjeve që janë vrarë dhe të mos mendoj për fëmijët e mi. Foshnjat e masakruara, trupat e përdhosur, të rinjtë e djegur të gjallë, gratë e dhunuara, prindërit e ekzekutuar në sy të fëmijëve, fëmijët në sy të prindërve. Si mund ta kuptojmë këtë?”, ka thënë ai.

Blinken lavdëroi trimërinë e izraelitëve. “Mesazhi që unë i sjell Izraelit është ky - ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten tuaj, por për sa kohë që Amerika ekziston, nuk do t'ju lëmë kurrë vetëm”, ka thënë Blinken.

Sipas Blinkenit, Hamasi ka veç një synim – zhdukjen e Izraelit dhe hebrenjve.

Netanyahu: Hamasi është armik i qytetërimit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka sulmuar militantët e Hamasit, duke thënë se ata “kanë treguar se janë armik të qytetërimit”. Ai ka listuar mizoritë që dyshohet se janë kryer nga militantët palestinez.

“Vrasja e të rinjve në festivalin e muzikës në natyrë, vrasja e familjeve të tëra, vrasja e prindërve para fëmijëve dhe vrasja e fëmijëve para prindërve, djegia e njerëzve të gjallë, prerja e kokave, rrëmbimi i një djalë të ri – jo vetëm i rrëmbyer, por edhe i ngacmuar, i sulmuar, i lënduar – dhe shfaqja e neveritshme e festimeve të këtyre tmerreve”, ka theksuar ai.

I pari i qeverisë izraelite ka theksuar se asnjë vend nuk duhet të strehojë” militantët e Hamasit dhe ata që e bëjnë këtë duhet të sanksionohen.

Duke iu kthyer mbështetjes së SHBA-së, Netanyahu i ka falënderuar me këtë rast amerikanët.

“Faleminderit që jeni këtu sot. Faleminderit, Amerikë”, ka theksuar Netanyahu dhe më pas i shtrëngon dorën Blinkenit.


MË SHUME NGA Lajme