Kurti: Qeveria e përkushtuar në kultivimin e trashëgimisë kinematografike
BKT
Lajme

Kurti: Qeveria e përkushtuar në kultivimin e trashëgimisë kinematografike

Shqipe Gashi /RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën hapëse të Festivalit të Filmit Frankofon, “Portretet e Grave Emblematike të Kinemasë” që u mbajt në Kino Armata, nën organizimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti u shpreh i gëzuar që ndodhej bashkë me të tjerët aty pranë dy kineasteve kosovare me arritje të jashtëzakonshme teksa hulumtohet portretizimi i grave në kinematografi gjatë Festivalit të Frankofonisë të këtij viti në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit. Lëvizja frymëzuese e njohur si Vala e Re e Filmit të Kosovës ka të përbashkët një fundament magjepsëse– filmat më të famshëm të vlerësuar me çmime janë realizuar nga gra vizionare” tha ai.

Emrat, siç shtoi ai, ndryshojnë nga Blerta Zeqiri, drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës, pastaj Blerta Basholli, prej filmit "Martesa" te filmi “Zgjoi”, e te Lendita Zeqiraj, e njohur për filmat e saj shumë lucid të zhanrit të shkurtër por edhe të gjatë, e Kaltrina Krasniqi, e cila portretizon një tjetër personalitet të gruas së fuqishme në “Vera Andrron Detin”, por gjitha janë dëshmi e pasurisë së talentit që posedojnë gratë e skenës sonë kinematografike.

Këtë vit, kryeministri theksoi se kanë prezantuar një ligj të ri për Kinematografinë, i cili është i mbushur me stimuj për të nxitur rritjen e kinematografisë, siç janë përfshirja e zbritjes së taksës për 30% për projektet ndërkombëtare që xhirohen në Kosovë (rabati), financimi i konsiderueshëm deri në 80% për projektet filmike dhe mbështetja madje 100% për regjisorët debutues, së bashku me themelimin e Rrjetit të Kinemave të Kosovës, d​uke mos harruar të përmend  bashkëpunimin Kosovë-Francë, që është me interes të veçantë për të dy vendet tona, dhe i cili i ka sjellë rezultate kohëve të fundit duke korrur suksese edhe në festival të njohura ndërkombëtare.

 “Qysh në fëmijërinë e hershme unë kam pasur fatin besoj që të shikoj filma dhe kinemaja franceze është shumë thellë në mendjen dhe në shpirtin tim, por meqenëse bëhet fjalë për një kënd të caktuar të kësaj, më lejoni që të përmbyllë këtë fjalë duke përkujtuar mbresat e mija prej një sërë aktoresh të famshme, nuk e di se a di të ua shqiptoj emrin si duhet, Emmanuelle Béart, pastaj Jeanne Moreau, Simone Simon, Brigitte Bardot e deri te Isabelle Adjani e Isabelle Huppert”, tha, ndër të tjera kryeministri Kurti.


MË SHUME NGA Lajme