Osmani: Akti i 24 shtatorit synonte destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Medina Pasoma / RTKlive
(E plotësuar, 09:53) Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit me senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Peter Welch, duke thënë se i ka informuar për të gjitha detajet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit.
“Senatorët i informova për rrjedhën e ngjarjeve, për dëshmitë e siguruar nga institucionet e sigurisë si dhe hapat që Kosova në koordinim të ngushtë me partnerët e saj po i ndërmerr ndaj këtij akti terrorist”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka thënë se ky akt ka pasur për qëllim të destabilizoj gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Regjimi i Vuçiqit jo veç që nuk distancohet nga sulmi terrorist , por ka vendosur t’i jep mbështetje atyre. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për aktet e agresionit, t’i dorëzoj terroristët që të përballen me sistemin tone të drejtësisë si dhe që të rritet garanca për mbrojtje të kufirit Kosovë Serbi në të ardhmen”, është shprehur presidentja e Kosovës.
Senatorja Shaheen: Jemi këtu për ta mbështetur Kosovën

(E plotësuar) Senatorja Jeanne Shaheen, deklaroi pas takimit me presidenten Osmani, se janë këtu për të mbështetur Kosovën, një shtet që ShBA-të me shumë krenari e kanë mbështetur gjatë viteve.
Valbona Thaçi /RTKlive
“Pas ngjarjeve të shtatorit erdhëm për të shprehur keqardhjen tonë dhe ngushëllimet tona”, tha Shaheen.
Ajo tha se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari, dhe shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje.
Sipas saj, për paqe afatgjate duhet që të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen dhe senatori Peter Welch do të priten edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Presidentja Osmani priti në takim senatorët amerikanë

Visar Shatrolli /RTK
(E plotësuar, 09:23) Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Peter Welch. Takimi ka filluar e që në fund të tij, do të ketë deklarim për media.
Senatorja Jeanne Shaheen dhe senatori Peter Welch, sot në ora 10:00, do të priten edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Dy senatorë amerikanë sot takojnë presidenten Osmani e kryeministrin Kurti
N.M. /RTKlive

Senatorja Jeanne Shaheen dhe senatori Peter Welch sot do të takohen me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të presë sot në takim, nga ora 9:15, senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Peter Welch, kurse në ora 10:00 ata do të priten nga kryeministri Albin Kurti.
Në një postim në platformën ‘X’, Shaheen njofton për vizitën e tyre në Kosovë, raporton RTKlive.
“Senatori Peter Welch dhe unë jam në Ballkanin Perëndimor për të siguruar aleatët tanë se SHBA-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe mbështet aspiratat demokratike të kombeve të tyre. Pres me padurim që të kem biseda thelbësore me drejtues dhe zyrtarë lokalë gjatë gjithë vizitës”, ka shkruar Shaheen.























