Lista Serbe kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri
Sh.Ç /RTKlive
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media, ka kërkuar që të shpallën sa më parë zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës, duke thënë se ata janë gati të marrin pjesë në to.
"Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këtë këshilltarë komunal të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë", ka deklaruar Rakiq.
Po ashtu Rakiçi ka theksuar se vendimet politike janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.
"Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur", ka deklaruar ai.
Lista Serbe, kishte refuzuar të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës më 4 prill, derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.























