Kurti takon Roth: Sulmet terroriste kërkojnë llogaridhënie të Serbisë
BKT
Lajme

Kurti takon Roth: Sulmet terroriste kërkojnë llogaridhënie të Serbisë

B. H. | RTKlive

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet sot në Tiranë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi paraprakisht kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe për procesin e dialogut.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.

 “Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se u bisedua edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi  Michael Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Republikës së Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë mes të dyve, pas atij të mbajtur në Prishtinë më 11 shtator.

Ndërkaq, Kurti në një postim në platformën “X” pas takimit me Roth ka theksuar se “sulmet terroriste kërkojnë llogaridhënie të Serbisë dhe siguri për Kosovën”.


MË SHUME NGA Lajme