Kurti takoi kancelarin Scholz: Sulmin terrorist e sponsorizoi Serbia
Sh/G/RTKlive
(E përditësuar: 21:10) Kryeministri Kurti ka falënderuar kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës. “Marrëdhëniet tona bilaterale janë të lidhura me vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë” deklaroi Kurti.
Kryeministri e falënderoi Kancelarin për ri-energjizimin e Procesit të Berlinit të cilin Kosova e mbështet fuqishëm.
Sipas njoftimit për media, në takim është biseduar për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës theksoi se ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së tyre.
Kurti zhvilloi takim pune me kancelarin Shcholz
Në kuadër të takimeve të Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar edhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Për këtë takim ka njoftuar Kurti në rrjetin social Fecebook, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
“Takim pune me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë”, kjo është fjalia e vetme që ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se në margjinat e këtij Samiti, kryeministri Kurti është takuar edhe me liderët tjerë evropianë e ballkanik.























