Presidentja Osmani nuk dekreton Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit
Medina Pasoma / RTKlive
(E përditësuar) Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të dekretojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, duke u thirrur në shkeljet të cilat janë evidentuar gjatë procesit të përzgjedhjes.
“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e bëra, më obligon që mos të bëj dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror. Kam ftuar Këshillin Prokurorial që të ndjekë një procedurë kushtetuese e ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila është në funksion të mbrojtjes së integritetit dhe të funksionimit kushtetues të këtij institucioni, sikurse edhe rritjes së besimit të qytetarëve në drejtësinë”, ka thënë Osmani.
Shkeljet e evidentuara nga monitoruesit janë bërë publike nga organizatat monitoruese, Ambasada e SHBA-ve, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas Presidentes, shkeljet janë cilësuar si “mungesë e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritokracisë” në Raportin e BE-së për Kosovën për vitin 2022.
"Kushdo që e lexon këtë dokument dhe e sheh se sa masive janë shkeljet në këtë procedurë nuk do ta merrte përsipër që ta dërgonte një vendim të tillë në Gjykatë Kushtetuese sepse nuk ka bazë ligjore për të kontestuar diçka që në fakt bëhet për të kthyer ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në proces. Nëse deputetët për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë, ajo për mua është betejë politike e jo ligjore”, iu është përgjigjur Osmani pyetjes rreth mundësisë së kundërshtimit nga opozita të mos dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Osmani ka thënë se ka pranuar kërcënime e presione të ndryshme për mos dekretimin e kandidatit Isufaj si Kryeprokuror të Shtetit.
“Në anën tjetër mund të ju them se ka pasur presione tjera të paligjshme për shembull njerëz që dërgonin mesazhe se nëse nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ndrisim aktakuza, do t’i lidhim duart, por ata duhet ta dinë se kam më shumë se 2 dekada në politikë dhe se presionet s’kanë bërë punë e as nuk do të bëjnë tani”, ka thënë Osmani.
“Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve tona të drejtësisë mendojnë që munden ta kërcënojnë kreun e shtetit në një vend demokratik, do të përfundonin jashtë sistemit. Por për fat të keq e kemi sistemin si e kemi, prandaj vetingu si proces është i domosdoshëm”, ka thënë ajo.
Osmani: Provat flasin për përfshirjen e Serbisë në sulmin në Banjskë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se provat e marra nga Banjska pas sulmit të 24 shtatorit, të cilat janë të natyrave të ndryshme, e dërgojnë komandën urdhëruese të këtij akti drejt Serbisë dhe Vuçiqit.
“Janë bërë 12 vite në dialog dhe tash është koha për reflektim sepse qasja e këtyre 12 viteve, e ka inkurajuar fatkeqësisht Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të krijoj akt agresioni në raport me Kosovën. Nuk mund të sillemi sikur s’ka ndodhur 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut të rimendohet në suaza të asaj çfarë ka ndodhur”, ka thënë presidentja.
Osmani: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit i orkestruar
(E plotësuar) Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit si të parregullt, të orkestruar, dhe të paligjshëm.
“Nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore. Siç jeni në dijeni, procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, i orkestruar, i paligjshëm nga të gjithë monitoruesit e procesit duke përfshirë organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ajo gjatë konferencës.
Tutje ajo ka listuar të gjitha shkeljet e konstatuara në procesin e përzgjedhjes së kandidatit të duhur për këtë pozitë.
“Disa nga shkeljet e konstatuara në procesin e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror janë shmangia e kritereve ligjore, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes refuzimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve, shkelja në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve, shkelje në procedurat e vlerësimit të koncept dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët, cenimi i parimit të transparencës përgjatë procedurave të përzgjedhjes, cenimi i parimit të barazisë, cenimi i parimit të meritokracisë dhe e dhjeta mungesat në dokumentacionin e dorëzuar nga KPK”, ka thënë Osmani.
Dekretimi i Kryeprokurorit, Osmani: Do të përpiqem të mos ndërhyj në proces
Presidentja Vjosa Osmani, në konferencë para mediave, ka folur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Pas një periudhe të gjatë të kontestimit të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me këtë rast duke konsideruar procedurë e kontestimit si të pasafatshëm. Asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se ka bërë përpjekje maksimale që të mos ndërhyj në këtë proces.
“Përgjatë gjithë procesit jam kujdesur maksimalisht që me veprimet e mia si president të shmang çfarëdo ndërhyrje potenciale në drejtësi, prandaj jam përmbajtur nga çfarëdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore që i kanë pasur kundërkandidatët. E dyta gjatë gjithë kësaj periudhe Kosova ka pasur ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të shtetit pa asnjë kufizim në kompetenca”, ka thënë Osmani.























