Gjykata e Hagës konfirmon lirimin e Gucatit
BKT
Lajme

Gjykata e Hagës konfirmon lirimin e Gucatit

N.M. /RTKlive

Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar lirimin e ish-kryetarit i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, nga Haga.

“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Hysni Gucati për lirimin e tij më 18 tetor 2023 ose rreth kësaj date, me kushtet e përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Bëhet e ditur se për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me Gucati.

“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat z. Gucati u dënua janë padyshim të rënda, si dhe duke marrë në konsideratë efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij. Vlen të theksohet, se Kryetarja konstatoi se z. Gucatit pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e ti. Gjithashtu dhe vuri vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucati se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale.


MË SHUME NGA Lajme