Rama: Kosova të veprojë e pavarur nga Serbia
Sh.Ç/RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se Plani Franko-Gjerman është më e mira e mundshme që mund t’i ndodhë Kosovës, ndërsa theksoi se kjo e fundit duhet ta firmosë e ekzekutojë unilaterisht.
Gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Rama tha se Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia komplet, dhe duhet t’i dedikohet rrugës së vet evropiane duke u sjellë si një tjetër Evropë në Ballkan, bashkë me Shqipërinë.
“E nis nga ajo që tha presidenti Macron në përgjigjen e mëparshme kur foli për një delegim të vullnetshëm të sovranitetit në duart e BE-së për vendet që i përkasin BE-së, apo që trokasin në derën e BE-së. Ky delegim i vullnetshëm i sovranitetit është i lidhur drejtpërdrejt me atë që unë thashë më parë, nivelin e maturisë europiane të çdo vendi për të bashkëjetuar me këtë fakt. Ndërkohë ne mund të flasim për kapituj, klastera etj, por BE është shumë i ndjeshëm politikisht në vlerësimin e kësaj maturie europiane të të gjithë vendeve tona me shumë të drejtë”, theksoi Rama.
Ai tha se e mira e madhe e Kosovës, është jo që të ulet në tavolinë, por që ta firmosë unilateralisht dhe ta ekzekutojë unilateralisht të gjithë marrëveshjen.
“Edhe sikur Serbia të mos ta dojë kurrë e pastaj t’ia lërë në dorë Bashkimit Europian, t’i thotë: Këto ishin obligimet e planit franko-gjerman për ne? Ne i kemi dokumente dhe ne do t’i zbatojmë. As na intereson fare se çfarë bën Serbia. Mjafton që në Bashkimin Evropian të hyjmë në një proces ku njohja reciproke me vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian të fillojë të funksionojë, sepse e bën për veten e vetë. Paqja bëhet për vete, nuk bëhet për t’i shërbyer armikut dhe paqja bëhet me armikun, nuk bëhet me mikun. Dhe për të bërë paqe me armikun, duhet të flasësh me armikun, nuk duhet të flasësh në telefon me mikun që t’i thotë armikut dhe është e tmerrshme të mendosh që ky është një oportunitet i artë në tavolinë që Kosova ka në krah të gjithë aleatët që duhet të ketë, çlirimtarët dhe njohësit e saj dhe që të mbytet në një lugë ujë me çfarë thotë, çfarë nuk thotë, çfarë bën, çfarë nuk bën presidenti i Serbisë”, tha ai.
Rama informoi se ditën e djeshme ka pasur një bisedë të hapur informale në drekën e punës me të gjithë liderët, përfshirë edhe me dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.
“Dua të sjell këtu i paautorizuar, por nuk besoj se ka problem, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandës, Mark Rutte kur iu drejtua të dyve, kryeministrit të Kosovës dhe kryeministres të Serbisë. Mos harroni kurrë që një kompromis, më shumë se sa çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh. Nëse bëjmë të paktën me sytë tanë këtu në Tiranë, me sytë e mi këtu në këtë podium një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e kudoqoftë, është shumë më e madhe dhe me një kosto shumë më të lartë se sa llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk do t’i humbasim”, tha Rama.
Ai theksoi se shqiptarët sot në rajon janë në ditën e tyre më të mirë në histori.
“Shqipëria nuk diskutohet. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kur unë kam qenë këtu në këtë detyrë vinin për vizitë dhe flisnin për dimensionin që duhet të kishte flamuri shqiptar që duhej të vihej në ballkonin e një shtëpie sepse ligji i atëhershëm në Maqedoni detyronte se flamuri shqiptar duhet të ishte më i vogël se ai i Maqedonisë. Sot flamuri shqiptar është krah për krah me çdo të zgjedhur atje. Sot gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.
Rama theksoi se Kosova është futur vetë në një kurth që ja ka bërë vetes, por nuk ka qenë kurrë më mirë.
“Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Evropian, dhe ndërkohë të dyja palët, kanë në tavolinë një plan, që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi Kosovës. Më e mira e mundshme”, theksoi Rama.























