Lajçi: Deklarata e Macronit është politike, por duhet të merret seriozisht
BKT
Lajme

Lajçi: Deklarata e Macronit është politike, por duhet të merret seriozisht

Emine Hoti / RTKlive

(E plotësuar) Driton Lajçi, njohës i diplomacisë ka thënë në “RTK Prime” se në komunikim me miqtë, siç është presidenti Emmanuel Macron dhe vet Franca, duhet t’i kemi fjalët më të zgjedhura dhe jo automatikisht t’i vendosim në tabelë qitje.

“E dimë se presidenti Macron është presidenti i parë i cili viziton Shqipërinë zyrtare që nga viti 1912.E viziton një nga vendet e cila ka ruajtur trashëgiminë e frankofonisë në Ballkan. Dhe ky është një vlerësim që i bëhet Shqipërisë.Deklarata e presidentit Macron sigurisht se duhet diskutuar dhe analizuar. Së pari duhet parë a është deklaratë politike dhe e dyta a ka folur si anëtar i Bashkimit Evropian, një prej vendeve më të rëndësishme të BE-së, apo si pjesëtar i planit franko-gjerman, të cilët e kanë ndërmjetësuar dakordimin në Ohër”, ka thënë Lajçi.

Ai tha se me aq sa ka njohuri rreth procesit të liberalizimit të vizave, Macron nuk mund të flasë në emër të BE-së, por ka thënë se fjalët e tij si një burrështetas kanë peshë dhe prezantojnë qëndrimin zyrtar të shtetit të tij.

“Unë për aq sa e kam kuptuar ai nuk mundet ta suspendojë liberalizimin e vizave. Mundet me e marrë iniciativën, pastaj ka punë aty, pasi duhet lobuar, së paku duhet ta bind partnerin kryesor që është Gjermania, e aty janë edhe Holanda e shumë vende tjera, në mënyrë që ta sjellë në Parlamentin Evropian re-evokimin e liberalizimit të vizave. Prandaj, kjo punë merr kohë", ka deklaruar ai. 

Sipas tij kjo më shumë është deklaratë politike, e cila ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. "Unë sa e kam kuptuar është se ai e ka përdorur në gjuhen franceze fjalën suspendim. Është suspendim i atij besimit që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës dhe i kanë dhënë kohë që t’i zbatojnë ato kushte që i ka caktuar Bashkimi Evropian. Për mua është suspendim i atij besimi, nuk është suspendim i liberalizimit të vizave”, ka shtuar Lajçi.

Megjithatë, edhe ai ka thënë se kjo deklaratë e Macronit duhet të merret seriozisht, pasi është një vërejtje serioze e cila vjen prej një vendi të fuqishëm sikurse është Franca.

Gashi: Deklarata e Macronit, mesazh i koduar në formë presioni

Analisti nga Shqipëria, Shpend Gashi e ka vlerësuar si mesazh të koduar deklaratën e sotme të presidentit francez, Emanuel Macron në Tiranë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

”Mua nuk më duket krejtësisht si  keqcitim ose keqpërkthim, por më shumë si një mesazh i koduar në formë presioni, që ne akoma jemi duke e shqyrtuar çështjen e  liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Pra, duke i shtruar pak presion Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit për ta nënshkruar marrëveshjen të paktën nga ana e tyre. Ajo çfarë nuk kuptoj është zhdërvjelltësia e kryeministrit të vendit tim, i cili bënë suflerin e presidentit të Francës dhe nuk e bën kryeministrin e Shqipërisë. Kjo është çudia më e madhe”, ka theksuar Gashi në një lidhje direkte me ‘Skype’ nga Tirana në emisionin “RTK Prime”.

“Pra - ka vazhduar ai - ky zotëria nuk e kupton se është moment historik që të gjithë shqiptarët duhet të mblidhemi dhe t’i vendosim pikat, pasi Serbia është në ditët e veta më të këqija diplomatike. Ka bërë gabimet  strategjike të vetat”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, opozita dhe të gjithë njerëzit në Kosovë nuk kanë asnjë lloj faji sepse vendi i tyre është sulmuar.

“Kosova është viktima, ndërkaq kërcënimi bëhet për Kosovën”, ka shtuar ai.

Pula e vlerëson të çuditshme deklaratën e Macronit, kritikon Edi Ramën

Analisti Shqipërim Pula deklaratën e sotme të Macronit e ka vlerësuar të  çuditshme, duke pasur parasysh se atë e ka bërë në kryeqytetin shqiptar, derisa ka kritikuar qasjen e kryeministrit Edi Rama.

“Është për çudi që një president francez e bënë një deklarim të tillë në zemrën e kombit shqiptar. Ai nuk ka bërë një deklarim për Maqedoninë e Veriut, nuk ka bërë një deklarim për Malin e Zi, por ka bërë një deklarim për gjysmën tjetër të kombit shqiptar, të cilët jetojnë në territorin e Kosovës. Pse po e cekë këtë sepse është vazhdimësi e rikthimit të një vëmendje tek pjesa e atij draftit, të cilin e ka dorëzuar kryeministri Rama, draft të cilin neve nuk e kemi parë  përmbajtësish por vetëm atë çfarë e ka deklaruar ai në media, nëse nuk gaboj më 10 qershor. Kryeministri Rama sikur e ka harruar përgjegjësinë e tij kombëtare dhe kushtetuese në raport me Kosovën”, ka thënë Pula.

Spahiu: Deklarata e Macronit, paralajmërim për Kosovën

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka theksuar se deklarata e sotme e presidentit francez, Emmanuel Macron rreth liberalizimit të vizave, e cila për shkak të përkthimit u interpretua si pezullim i procesit, nuk është një kërcënim, por është paralajmërim për Kosovën.

“Mendoj se të gjitha këto elemente së bashku u bënë pas një deklarate e cila krijoi paqartësi dhe u diskutua gjatë tërë ditës duke filluar nga gjuha e përdorur e presidentit francez deri te sqarimi nga kabineti i tij në pasditen e sotme. Sidoqoftë duhet kuptuar që kjo është një vërejtje, nuk do ta quaja kërcënim. Është një paralajmërim që i bëhet Kosovës sidomos qeverisë së saj”, tha Spahiu në “RTK Prime”.

Ai tha se në deklaratën e Macronit nuk ishte problemi vetëm te përkthimi. “Përkthimi ishte në atë aspektin se nuk u tha nga Macron që Franca definitivisht është kundër liberalizimit të vizave, por ajo mund të vihet në pikëpyetje në qoftë se nuk e mban fjalën qeveria kosovare. Tani se për çfarë e kishte fjalën ai është një çështje që duhet diskutuar".

"Çfarë i është premtuar dhe çfarë nuk është bërë. Është një paralajmërim se tani Bashkimi Evropian do të jetë më aktiv, shumë i ashpër në vazhdimin e dialogut dhe kërkesat sidomos për formimin e Asociacionit do të jenë më të drejtpërdrejta dhe më të vendosura”, ka shtuar Spahiu.


MË SHUME NGA Lajme