Kurti takon komandantin e KFOR-it: Të rritet siguria në kufirin me Serbinë
M.Sh/RTKlive
Pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, kryeministri Albin Kurti e konsideron të nevojshme rritjen e sigurisë nga ana e KFOR-it përgjatë kufirit me Serbinë. Kështu ka deklaruar Kurti gjatë një takimi që ka zhvilluar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ultutas, me të cilin kanë biseduar për situatën e sigurisë në vend.
Sipas një njoftimi për media, kryeministri Kurti tha se është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it.
Në këtë takim është diskutuar për sulmin terrorist i 24 shtatorit. Kurti tha se sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi, prandaj duhet shtuar sigurinë gjatë kufirit me Serbinë.
“Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri e ka mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
“Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti, i cili gjithashtu theksoi nevojën, që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës.
“Prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes”, ka deklaruar ai.























