Kurti e vlerëson kontributin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim njoftues drejtorin e ri të Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Peter Hurrelbrink. Kryeministri vlerësoi kontributin e FES dhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.
Sipas njoftimit, Kurti i uroi mirëseardhje drejtorit Hurrelbrink në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re.
“Dr. Hurrelbrink, falënderoi kryeministrin për pritjen dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë, sidomos në fushat socioekonomike që kontribuojnë për mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti e vlerësoi kontributin e FES dhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.
“Gjithashtu ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e stafit diplomatik, si dhe trajnimin për anëtarët e Inspektoratit të Punës në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, u tha në njoftim.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë në fusha me interes për qytetarët e Republikës së Kosovës, me synim forcimin e barazisë sociale.























