Pallati i Drejtësisë pa ujë, vështirësohet gjendjen higjienike në objektet
M.Sh/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë prej tri ditë radhazi është duke u përballë me mungesë të ujit, thuhet në njoftimin e këtij institucioni
Kjo gjendje, sipas njoftimit të Gjykatës, ka vështirësuar dhe rënduar gjendjen higjienike në objektet e Pallatit Drejtësisë po ashtu vë në rrezik shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrativ, të cilët pavarësisht kësaj gjendje të rëndë, janë duke vazhduar punën.
“Përmes këtij reagimi, Gjykata Themelore e Prishtinës kërkon nga autoritetet kompetente si Kompania e Ujësjellësit Regjional KUR Prishtina dhe Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave, që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të marrin masa të menjëhershme për të furnizuar me ujë objektin e kësaj gjykate, në të kundërtën do të shqyrtohet seriozisht mundësia e ndërprerjes së punës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së ndonjë epidemie eventuale”, thuhet në reagimin e GJTHP-së
Ndërsa zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka thënë se ka probleme teknike.
“Për shkak të disa probleme teknike kemi ulur sasinë e ujit në trajtim nga ITUP Badoc, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së ujit. Jemi duke punuar me 35 për qind të kapacitetit, andaj ulja e trajtimit do të ndikoj që zonat të cilat furnizohen nga Badovci do të afektohen me reduktime...Shpresojmë të kalojë shpejt kjo situatë dhe të rikthehemi në normalitet brenda pak ditësh”, ka thënë Mjeku.























