RTK Prime, zhvillimet e fundit përballin pozitë-opozitë
BKT
Lajme

RTK Prime, zhvillimet e fundit përballin pozitë-opozitë

E.Hoti & Sh.Gashi/RTKlive

Sonte në emisionin RTK Prime të ftuar kanë qenë Arbër Rexhaj, deputet i VV-së dhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Rexhaj: Debati i thirrur nga opozita të përfitohet në kurriz të Policisë

Arber Rexhaj, deputet i VV-së ka thënë se debati i thirrur sot prej opozitës ka qenë debat i cili është munduar të përfitojë politikisht në kurriz të Policisë së Kosovës.

“Ka tre muaj që ne jemi duke bërë grupe sa i përket shtesave dhe grupe sa i përket rrezikshmërisë. Policisë së Kosovës do t’i rregullohet problem i rrezikshmërisë dhe i shtesave. Në këtë raport besoj që çështja është duke u kryer, dhe kur jemi në përfundim të përmbushjes së kërkesave të Policisë së Kosovës, në emër të një rezolute, e cila është tejet demokratike sepse opozita atë punë ka, duke e ditur që ajo punë po kryhet e pastaj po thirret një seancë me idenë që pas kryerjes së punës të thuhet po u bë, pra u rregullua çështja e rrezikshmërisë dhe shtesave, mirëpo u rregullua pas një presioni të madh të opozitës”, tha ai.

Rexhaj tha se dy grupe punuese janë afër përfundimit të çështjes që i përfshinë kërkesat e Policisë dhe ato të Sindikatës.

“Ne e kemi vizionin tonë dhe normalisht kur i fiton votat për ta qeverisur Kosovën, t’i qeverisë si do vetë dhe jo si do PDK-ja, LDK-ja, apo Aleanca. Për atë na kanë votuar qytetarët me 50 e ca për qind të votave. Ajo çfarë në debat nuk ishte e mirë edhe për Republikën e Kosovës, ishte të thuhet me burime anonime që brenda Policisë së Njësisë Speciale, apo Njësisë së Reagimit të Shpejtë ka policë të cilët nuk do të lajmërohen në punën. Kjo është thirrje për bojkot", tha ai duke shtuar se ata nuk e kanë një informacion të tillë.

"Para se të vija këtu sigurisht jam konsultuar me akterët relevantë, në këtë rast edhe me ministrin dhe e kam pyetur se a ka tendencë që Njësia Speciale ta lëshojë punën, ka thënë jo, a ka tendenca që ta lëshojë punën njësia e Reagimit të Shpejtë , ka thënë jo. Pra nga dalin këto informacione”, tha deputeti i pozitës.

Ai tha se rezoluta nuk është obligative.“Ne e dimë të gjithë se ka rezolutë, ajo e shpreh një pikëpamje politike, por nuk përbën diçka obligative. Kur drejtori i Sindikatës së Policisë thotë mos më politizoni, nuk i thotë vetëm opozitës, por edhe pozitës, pra të dy anëve, dhe mos u mundoni të përfitoni politikisht as opozitë as pozitë, unë sot pra po shohë një debat që është duke shkuar edhe kundër dëshirës së vet sindikatës”, tha ai.

Sipas tij, arsye e mos pjesëmarrjes së Vetëvendosjes në seancën e sotme të Kuvendit është se nuk kanë dashur ta bëjnë debatin në atë nivel që të respektohet edhe fjala e kryesindikalistit, në kuptimin e asaj që mos t'i jepet frymë politike. “Çështjet do të rregullohen. Meqenëse do të rregullohen pra pse rezolutë”, tha ai.

Musliu-Shoshi: Policia nuk do të duhej të ishte betejë politike

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se është pa kuptim sjellja e pozitës ndaj rastit të sotëm ku nuk është votuar rezoluta për ndihmë financiare për Policinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Ajo në RTK  Prime tha se institucioni i policisë nuk do të duhej të ishte betejë politike, ku secili vrapon për një gusht vota.

“Kjo do të duhej të ishte një betejë politike në të cilën të gjithë se bashku propozojmë, kërkojmë, provojmë që policisë t'i ofrohen kushte më të mira”, tha ajo.

Sipas saj nuk është kërkesa e parë e Partisë Demokratike dhe të ketë vetëm një rezolutë, e cila në fakt nuk ka edhe efekt juridik.

“Mjetet demokratike të cilat i kemi ne si opozitë nuk na ofrojnë më shumë, sepse ne nuk e kemi fuqinë e votës që të kalojmë një projektligje, por iniciativat nuk na kanë munguar, pra kemi marrë iniciativën për pensionim të parakohshëm për Policinë e Kosovës, por nuk e kanë votuar. E kemi thirrë e jemi munduar disa herë, por nuk ka kaluar”, theksoi ajo.

Musliu-Shoshi, bëri me dije se në komisionin për të drejtat e njeriut ku ajo është edhe anëtare,  me datën 18 korrik sindikata e Policia e Kosovës e ka dorëzuar një kërkesë e cila tek tash u diskutua.

“Këtë peticion e kanë nënshkruar 5623 policë kërkesat e tyre janë shumë të qarta: shtesat për rrezikshmëri në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimin e koeficienteve, zbritjen e provojës në punë, tre pagat përcjellëse për të pensionuarit, si dhe shujta ditore, shpërblimi për fund vit në vlerë të një page, sigurimi shëndetësor jetësor si dhe ligji për pensionim. Kanë ardhur në komision ku ne bashkë me pozitën e kemi caktuar datën dhe pozita prapë nuk kanë ardhur atë ditë që ne e kemi pasur sindikatën, në bazë të rregullores së kuvendit ne nuk kemi pasur mundësi që të mbajmë mbledhjen e komisionit, mirëpo kur jemi një e tretat na jepet mundësia që të kemi një dëgjim publik që ne e kemi bërë dhe i kemi dëgjuar kërkesat e tyre”, tha Musliu-Shoshi.


MË SHUME NGA Lajme