Bislimi takoi Boone: Integrimi Evropian duhet të bazohet në meritokraci
BKT
Lajme

Bislimi takoi Boone: Integrimi Evropian duhet të bazohet në meritokraci

M.Sh/RTKlive

“Republika e Kosovës mirëpret planin e ri të BE-së për zgjerim dhe mbetet e përkushtuar maksimalisht për hapa të rëndësishme përpara në këtë proces”. Kështu ka deklaruar në Paris, zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi gjatë një takimi me sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Procesi i integrimit evropian, sipas Bislimit, duhet të jetë i bazuar në meritokraci e shpërndarje të barabartë për të gjitha shtetet.

“Kosova është tashmë në vitin e 7-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjendet e përgatitur institucionalisht për marrjen e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bislimi.

Në zhvillim ekonomik, Kosova sipas tij, ka dëshmuar se përtej barrierave me të cilat është përballur, ka arritur rritje ekonomike e të performojë pozitivisht në rankime e matje ndërkombëtare.

Sa i përket procesit të dialogut, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova në vazhdimësi ka qenë palë konstruktive. Ndërkohë, përmes shkeljeve të shumta të Marrëveshjes Bazike, Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në këtë proces.

“Në mesin e këtyre shkeljeve, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke cenuar nenin 4 të Marrëveshjes Bazike. Po ashtu, Serbia refuzoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit”m tha ai.
Në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, Bislmi theksoi se ishte një akt agresioni i një shteti kandidat për anëtarësim në BE, kundër një kandidati ende potencial për anëtarësim.

Në përfundim të takimi, siç thuhet në një komunikatë për media, është diskutua dhe mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale me Francën dhe mundësitë për thellimin e tyre.

Paraprakisht zëvendëskryeministri Bislimi pati një takim dhe me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ku u vlerësua lartë kontributi dhe angazhimi i Francës në rajon.

Prezent në këto takime ishin dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe zëvendësdrejtori i Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Nicolas Faye.


MË SHUME NGA Lajme