Kanadaja mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare
M.Miftari/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Kanadasë në të gjitha proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës. Ai shprehu mirënjohjen në veçanti për mbështetjen e dhënë për zhvillim, avancim të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe përkrahjen në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ttuje, ambasadorja Blitt, e cila është ambasadore rezidente në Zagreb të Kroacisë, falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen. Ajo, ndër të tjera, ritheksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kanadasë ndaj Republikës së Kosovës, si dhe mbështetjen në rrugëtimin e saj për integrim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Duke theksuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, u ritheksua përkushtimi për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit dhe mundësive në sektorin e minierave, energjisë së ripërtërishme dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit”, thuhet në njoftim.























