Me sfida të ndryshme po përcillen përgatitjet për regjistrimin e popullsisë
Arbresha Berisha/RTK
Mungesa e tabletëve e mostrajnimi i stafit, sfidë për regjistrimin e popullsisë. Me sfida të ndryshme po përcillen përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Kështu të paktën ka thënë ushtruesi i kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Buxhet.
Berisha është shprehur se ende nuk janë furnizuar me tabletë dhe se janë mbrapa edhe sa i përket trajnimit të stafit.
"Agjencia e Statistikave të Kosovës ka zhvilluar të gjitha aktivitetet përgatitore për fillimin e regjistrimit. Ne jemi vonë për furnizim me tabletë. Kompania ka dështuar t'i sjellë tabletët me kohë dhe ne kemi shkëputur kontratën me kompaninë dhe është përzgjedhur kompania tjetër. Ne jemi vonë edhe me trajnime. Janë katër nivele. Niveli i parë ka përfunduar", ka deklaruar ai, raporton RTKlive.
Berisha ka folur edhe për vështirësitë e regjistrimit të popullsisë në veri. "Ne po shpresojmë që do të krijohen kushte më të mira, por në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare, në vendet ku ka situata jo të qeta nuk preferohet të bëhet regjistrimi i popullsisë sepse interesimi për regjistrim nuk është i lart", shtoi ai.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se gjithë këto sfida mund ta pengojnë nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë me kohë.
Berisha ka thënë se i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrjen e afatit për regjistrimin e popullsisë por që nuk kanë marrë përgjigje në këtë drejtim.
Ndërkaq, skeptikë për nisjen e këtij procesi më një nëntor janë shprehur deputetët e opozitës.























