Analistët: Emisarët do të kërkojnë nisjen e punës për Asociacionin|Video
BKT
Lajme

Analistët: Emisarët do të kërkojnë nisjen e punës për Asociacionin|Video

Edona Podvorica/RTK

Kryeministri Albin Kurti, një ditë para ardhjes së emisarëve, theksoi se nuk mund të ketë normalizim pa siguri. Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë konsiderojnë se ardhja e emisarëve lidhet me kërkesat specifike të ndërkombëtarëve, për zbatimin e marrëveshjes dhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kërkesat e 5 emisarëve që zbarkojnë nesër në Prishtinë mendohet se do të jenë të qarta. Kryeministri Albin Kurti nuk ka dashur të komentojë kërkesat e mundshme të emisarëve, të cilët do t`i presë nesër megjithëse ritheksoi se normalizimi nuk mund të ndodhë pa siguri.

“Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policinë, ushtrinë e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq”, tha Kurti.

Njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se ardhja e emisarëve lidhet me kërkesat tashmë të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Emisarët dëshirojnë t’i japin dinamike të re, dinamika e re nënkupton zbatimin e asaj për çka palët janë marrë vesh, dhe zbërthimi i kësaj do të thotë një miut e para formimi i asociacionit, për çka organet tona janë pajtuar dhe si duket kanë dhënë pëlqimin këto ditë”,  theksoi për RTK, profesori universitar Afrim Hoti.

Kurse analisti Visar Xani, tha se kërkesat tashmë janë publike.

“Është obligim që Kosova e ka marrë që prej vitit 2013, dhe është obligim që të paktën në aspektin material të jemi gati sepse vet procedura merr kohë", theksoi ai.

Pesë emisarët perëndimorë për dialog, ai i SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Bashkimit Evropian, vijnë në Prishtinë e Beograd pas ngjarjeve të zhvilluara në veri, ku një grup terroristësh serb në krye me Milan Radojçiqin sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin e saj, Afrim Bunjaku.


MË SHUME NGA Lajme