U përurua busti i bilbilit të këngës Nexhmije Pagarusha
Myrvete Axhami/RTK/
(E plotësuar Ora: 10:30 ) Sot në fshatin Pagarushë të Malishevës është bërë përurimi i bustit së ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Ambasadori Qemajl Minxhozi, kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, këngëtarja Shkurte Gashi dhe përfaqësues të familjes e prenë shiritin e përurimit të bustit.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e parkut dhe bustit për të madhen Nexhmije Pagarusha. Më pas Kastrati, ka folur për mbretëreshën e këngës shqipe, për vlerat e saj artistike dhe kombëtare, për dashurinë e saj ndaj vendlindjes dhe mbi të gjitha për vlerat e zërit të saj, që vendlindjes i dha përmasa ndërkombëtare.
“Iniciator për ndërtimin e këtij busti, ishte ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi, ndërsa donator kryesor ishte mërgimtari Enver Kryeziu, për të vazhduar me përkrahjen e pakursyer të mërgatës sonë, të komunës dhe në fund për tu punuar ky bust nga duart e skulptorit Agon Qosa”, ka deklaruar Kastrati, i cili më pas foli për jehonën dhe vlerat e këngëve të kënduara nga “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha, vlera të cilat bënë muzika shqipe dhe zëri i saj, të marrin përmasa botërore.
Edhe ambasadori Minxhozi, në fjalën e tij, foli për takimet që kishte me “Mbretëreshën e muzikës shqiptare”, Nexhmije Pagarusha, për dashurinë që ajo kishte për vendlindjen.
“Ne sot, e vizituan Pagarushën, së bashku me Nexhmijen, tashmë në bronz. Nexhmija është ikona e muzikës shqiptare, që artin shqiptar e bëri ti njohur në gjithë botën”, ka thënë mes tjerash Minxhozi. 
“Bilbili i Kosovës” rikthehet e bronztë në Pagarushë

M.Shefkiu/RTKlive
Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha “ringjallet” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, me shtatore bronzi.
Aktivitetet do të fillojnë që nga ora 10:00 me nderime te varri i saj në Pagarushë, me pas do të zbulohet bustit dhe në fund të Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë do të jepet një shfaqje kulturore e artistike.
Ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.
“Jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja jonë komunale u është mirënjohës thellësisht”, ka shkruar kryetari i komunës, Ekrem Kastrati.
E cilësuar si “Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua me 7 shkurt 2020. Ajo ishte një këngëtare dhe aktore shqiptare, ndërsa konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me "Medaljen e Mirënjohjes" nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Disa nga veprat e saj që kanë mbetur në antologjinë e këngës e interpretimit janë: “Baresha"; ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n'hava”,"Zambaku i Prizrenit" e shumë të tjera.
Kujtojmë, se shtatoren e Pagarushës e ka realizuar skulptori Agon Qosja.























