Kearns sheh nga afër armët e konfiskuara, çmohet për mbrojtjen e drejtësisë
M.Shefkiu/RTKlive
Deputetja britanike, e cila disa herë kishte ngritur zërin në Parlament, se kishat dhe manastiret në Kosovë po shndërrohen ne depo të armatimit për kriminelët serb, Alicia Kearns sot pa nga afër armatimin që Policia e Kosovës ka konfiskuar në veri të vendit nga terroristet serbë.
Ajo së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe policët kosovare, qëndruan në depon ku po mbahen armët e konfiskuara nga grupi terrorist, i cili me 24 shtator sulmoi policinë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe duke plagosur dy të tjerë.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me Policinë e Kosovës të presim deputeten e nderuar dhe kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri i Brendshëm ka falënderuar ligjvënësen britanike për sensibilizimin ndërkombëtar që pati bërë me rastin e deklarimit që “objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale”.
Gjatë kësaj vizite, Kearns pati rast të takojë dhe zyrtarë policorë me të cilët pati rastin të bisedojë rreth sfidave, por dhe mundësive për të kontribuar në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës”, ka shkruar Sveçla.
Deputetja britanike, Alicia Kearns po qëndron në Kosovë m ftesë të presidentes, Vjosa Osmani. Ajo gjatë ditës është takuar me krerët e institucioneve të vendit, të cilat e kanë falënderuar për qëndrimin e saj dhe të vërtetën që ka ngritur në parlamentin britanik.
Kujtojmë se Kearns kishte deklaruar disa herë, se kishat dhe manastiret serbe në Kosovë po shndërrohen në kazerma për armatimin e serbëve në veri. Madje për këtë qëndrim ajo ishte kërcënuar nga zyrtarët serbë me padi në gjykata, por rasti i 24 shtatorit tregoi se deputetja kishte pas të drejtë.























