Ahmetxhekaj: RTK po bën histori me nisjen e Festivalit të Këngës
BKT
Lajme

Ahmetxhekaj: RTK po bën histori me nisjen e Festivalit të Këngës

M.Sh/RTKLive

Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj ka shkruar të dielën mbrëma, për reformën e re që po nis në televizionin publik, dhe për një nga projektet më të mëdha të periudhës së fundit, siç është Festivali i Këngës në RTK. Për këtët të fundit, Ahmetxhekaj thotë se “RTK-ja po bën histori me nisjen e Festivalit të Këngës”.

Java që po hyjmë, sipas tij, do të kulmojë me realizimin e shumë projekteve në RTK, me njërën nga to të nisur qysh nga maji i vitit 2022.

“Këtë të enjte, të premte dhe të shtunë, drejtpërdrejtë nga Pallati i Rinisë përmes të gjitha platformave të transmetuesit publik, vjen tek ju gara e muzikës, e ku synim i yni do të jetë pjesëmarrja në Eurosong. Pos kësaj, gjatë kësaj jave do të vazhdojmë me zbatimin e skemës së re programore, ku do të ketë më shumë argëtim dhe emisione për të gjitha shijet”, ka shkruar ai.

Programi në RTK1, sipas tij, nis në orën 06:00 me Mirëmëngjesi Kosovë, ku në 60 minutat e parë do të jenë kolegët nga Radio Kosova.

“Skema e re ka edhe serial vendor, e do t'i shtohen shou argëtues, emisione për sportin, teknologjinë, mjedisin, fëmijët, teatrin etj. Ndërkaq, në kanalet e Radio Kosovës do të aplikohet koncept krejt i ri i programeve, me më shumë dinamikë, argëtim dhe informacion. Programi do të ndahet në 4 orare kohore: Mëngjesi, Mesdita, Pasdita dhe Nata, gjë e cila do të sjell më shumë interaktivitet”, ka shkruar Ahmetxhekaj.

Në këtë skemë, siç thotë ai, do të jenë të angazhuar i gjithë stafi aktual.

Skema e re i përgjigjet trendeve aktuale botërore dhe fokusi i ri është edhe shtimi i emisioneve ‘live’ gjatë fundjavës, thotë drejtori gjeneral.

“Emisioni Metropol do të shfaqet edhe në RTK1, ashtu sikurse do të jenë online edhe podcastet që do të nisin së shpejti. Në RTK4, çdo ditë nga ora 19:00 do të kemi edicion informativ kulturor. Në RTK2 po ashtu do të ketë emisione të reja, ku njëri nga ta që ka në fokus peshkimin do të transmetohet i titruar edhe në RTK1. Nga ana tjetër, jemi të përkushtuar për fuqizimin e pranisë dhe cilësisë në mediat online. Pos dizajnit të ri, do të sjellim edhe përmbajtje të re”.

“E gjitha kjo është dëshmi se krahas reformës organizative e strukturore, po punojmë me përkushtim për reformë programore. Shto këtu faktin se në 2024 në RTK nis transmetimi i Ligës së Kampionëve, Europa Ligës dhe Ligës së Konferencës. Presim që themeluesi të na mbështes në projeksionin buxhetor 2024 për të përmirësuar kushtet e punës, teknologjinë dhe për t'iu ofruar më shumë hapësirë producentëve të pavarur!  RTKePublikut”, shkruan Ahmetxhekaj.


MË SHUME NGA Lajme