Sulmi terrorist: Liderët e quajtën agresion, kërkojnë sanksione për Serbinë
Elmina Osmani/RTKlive
Mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, kryeministri i vendit, Albin Kurti dha lajmin se në Banjskë të Zveçanit është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Sulmi kundër policisë u krye nga një grup terrorist, i armatosur rëndë, i mbështetur nga Serbia... kishte shkruar kryeministri Kurti në facebook.
Ishte ditë e zakonshme, e pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si çdoherë po kryenin patrullime në veriun e vendit.
Në mbrojtje e sipër, terroristëve iu përgjigjën kolegët e rreshterit Bunjaku, ku të vrarë mbetën 3 sulmues, disa nga ta u arrestuan e të tjerët morën arratinë nga vendi i ngjarjes.
Në takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Vjosa Osmani e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.
Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Osmani ka dalë me një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.
Ndërkaq të tmerrshme e të pandodhur deri më parë në atë format e quajti ngjarjen e asaj dite profesori universitar, Fatmir Çollaku, i cili tha se pasojat do të ishin edhe më të madha sikur sulmi të realizohej në plotni.
"Fatmirësisht ka përfunduar me këtë pasojë, që prapë është e dhimbshme, humbja e rreshterit të Policisë së Kosovës dhe begatimi i heronjve me një hero të ri, në kuptimin e krenarisë kombëtare dhe policore. Kurse në rendit juridik dhe kushtetues ishte një indikator se Republika e Kosovës është mbrojtur duke e zmbrapsur sulmin dhe duke e ruajtur rendin juridik dhe kushtetues", tha ai për RTK.
Pas kësaj ngjarjeje në gjithë territorin e veriut të vendit dhe jo vetëm, u kryen shumë bastisje të cilat rezultuan me gjetje të sasive të mëdha të armatimit, prodhim i shtetit serb e kryesisht i viteve të fundit.
Çollaku thotë se nga terreni situata shumë lehtë mund të tensionohet. Megjithatë, sipas tij, vëmendja e shtuar e Bashkësisë Ndërkombëtare është një garanci për zgjidhjen e këtij problemi.
Sipas kryeministrit Kurti e ministrit Sveçla, Serbia përmes këtij sulmi po synonte aneksimin e veriut të Republikës. Sveçla derisa kishte thënë se sulmuesit ishin përgatitur mirë në bazat ushtarake të Serbisë, kërkuan ekstradimin e tyre në Kosovë.
Përmes dronëve që filmuan këtë ngjarje që ndodhi në Manastirin në Banjskë, aty u pa nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili më pas doli të jetë prijësi dhe organizuesi i sulmit. Disa ditë më vonë ai mori përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke mohuar akuzat se sulmi ishte mbështetur nga Serbia, tha se ky sulm u krye nga një grup i serbëve lokalë të pakënaqur, duke paralajmëruar se shteti që ai udhëheq do të ngrejë aktakuzë ndaj Radojçiqit.
Rreth kufirit me Kosovën, Vuçiq mblodhi ushtrinë, por kjo u dënua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësia Ndërkombëtare, të cilët kërkuan që ushtria të largohet menjëherë nga kufiri.
Ndërkohë derisa hetimet për sulmin kundër policisë po vazhdojnë, për të rritur sigurinë në këtë pjesë të Kosovës, në kuadër të forcave të KFOR-it, NATO rriti praninë.
Më pas, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë e cila dënon sulmin e 24 shtatorit. Nëpërmjet rezolutës u është bërë thirrje institucioneve evropiane të marrin masa ndaj Serbisë, vendosjen e sanksioneve kundër Milan Radojçiqit, rol më proaktiv në dialog nga ndërmjetësit e të tjera kërkesa.























