Minatorët në grevë, kërkojnë që t`u paguhet 55% e pagës bazë për shtator
Edina Avdiu/RTK
Minatorët në Trepçë janë futur në grevë. Ata po kërkojnë që t`u paguhet 55% e pagës bazë për muajin shtator. Grevën po e mbajnë në horizontin e dhjetë, e që sipas sindikatës, gjendja e tyre shëndetësore mund të rëndohet.
Minatorët e ndërrimit të parë janë futur në grevë në horizontin e 10. Ata po kërkojnë 55% të pagës bazë për muajin shtator.
Pasi kanë qëndruar 7 orë në zgafelle, gjendjen shëndetësore po ua kontrollon nga afër doktoresha e minierës.
Bajram Ahmeti i cili punon në Trepçë nga viti 1983 e që ishte pjesë edhe e grevës së vitit 1989, thotë se është i gatshëm ta vazhdojë grevën ani pse rrezikon që gjendja shëndetësore t'i përkeqësohet.
Ndërsa, minatori Mensur Smakolli, tha se greva nuk ndalet deri të realizohen kërkesat.
Nga sindikata thonë se situata e minatorëve mund të përkeqësohet, andaj kanë një thirrje.
"Ne i bëjmë thirrje menaxhmentit bordit që me reflektu dhe me u dëgju zëri i minatorëve, në të kundërtën, përgjegjësia për çdo eventualitet bie mbi bordin dhe menaxhmentin dhe Qeverinë", tha Ibrahim Jonuzi, kryetar i sindikatës së Trepçës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të minierës, Bujar Jashari, thotë se gjendja në minierë nuk është aspak e mirë.
"Po mundohemi të ju qëndrojmë afër. Po shpresojmë që kjo nuk zgjat dhe do të bëjmë një zgjidhje sepse kjo është në dëm të të gjithëve", theksoi Jashari.
RTK gjatë ditës ka provuar të marrë një përgjigje nga menaxhmenti i Trepçës, por nuk është përgjigjur.
Ndërsa të hënën Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion e 675 mijë euro për ndërmarrjen publike Trepça.























