Maloku: Serbia dhe Kosova në situatë ku s`mund t`i ikin përgjegjësisë
Analisti Albinot Maloku konsideron se Serbia edhe Kosova tani janë në një situatë ku nuk do të mund të gjenden manovrime dhe alternativa për t’i ikur përgjegjësisë .
“Dhe kur them këtë aludoj tek jetësimi i planit franko-gjerman, i njohur më pas si marrëveshja bazike që faktikisht në thelb të saj është çështja e Asociacionit, pengesa thelbësore për Republikën e Kosovës në përparimin drejt jetësimit të marrëveshjes. Në anën tjetër “Po”-ja e Kosovës nuk ka qenë e barabartë me pajtimin, ose për qasjen e Serbisë në çështjen e planit franko-gjerman, si pasojë e modaliteteve që janë dhënë aty”, tha ai në emisionin "Info Plus" në RTK.
Maloku konsideron që rrjedha e ngjarjeve që ka pasur ky vit në Kosovë, gjithsesi të imponuara dhe të transportuara nga Serbia, ka sjellë situatën ku do të duhej të kishte një konkretizim të marrëveshjes.
Ai theksoi se ky konkretizim është vullnet i faktorit ndërkombëtar, i ndihmësve dhe i lehtësuesve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani jemi në një situatë ku sidomos pas ardhjes së pesëshes diplomatike dhe të takimit të nesërm që gjithsesi po ngelet si opsion mundësia në qoftë se do të ketë sukses, do të bëhet njëfarë eventi në kuptimin që palët po pranojnë, po japin përveç "Po"-së së tyre edhe përafrimin e nënshkrimit ose të çfarëdo modeli evropian që di të prodhojë Brukseli, dhe të ecet përpara”, tha ai.
Sipas tij, tani situata është që ka një plan të ri, mirëpo siç e shpjegoi edhe Qeveria e vendit, pra ka pranuar që të diskutohet mbi këtë dokument.
“Kam përshtypjen se kjo është vetëm një taktizim politik për faktin që nuk ka më hapësirë diskutimi. Kemi pasur shumë momente që kemi përdorur edhe togfjalëshin 'merre ose lere', mirëpo në situatën aktuale kur kemi përfshirjen e drejtpërdrejtë të presidentit Emannuel Macron, të kancelarit Olaf Scholz , por edhe të kryeministres Giorgia Meloni, kjo i bije që situata është në fundin e saj të fillimit të diçkaje të re”, tha ai.























