Borrell paralajmëron takime të tjera me Kurtin e Vuçiqin
A.B / RTKlive
(E plotësuar, ora 17:30) Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell paralajmëroi takime të tjera ndërmjet Kosovës e Serbisë, pas takimeve të sotme që pati në Bruksel nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksander Vuçiq. Edhe pse nuk pati takim të përbashkët, Kurti e Vuçiq takuan përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të BE-së.
Ndërsa Borell tha se u vonua sot që të marrë pjesë në samitin e Këshillit Evropian për shkak të takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë…Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër – ajo shkon përmes dialogut”.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara "në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit". "Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara", tha kryeministrja italiane.
Përfundoi takimi i Kurtit me liderët e BE-së, nuk ka deklaratë
Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me liderët e BE-së.
Gazetarja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina, raporton se kryeministri Kurti u largua pa dhënë deklaratë.
Kurti nis takimet me udhëheqësit evropianë
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimet me udhëheqësit evropianë në margjina të një samiti të BE-së, në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano,ka thënë se këto takime janë vazhdimësi e procesit, që filloi në fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “Pesëshja e madhe” e të dërguarve Perëndimor vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë detyrimeve që dalin nga dialogu, si dhe të punohet menjëherë për uljen e tensioneve”, tha Stano.
Takime të tilla pritet të zhvillojë ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar sot, në Bruksel, për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Kurti dhe Vuçiq sot në Bruksel takohen me liderët e Bashkimit Evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, tha se dita e takimit do të determinojë jo vetëm fatin e dialogut, por edhe fatin e raporteve të njërit shtet, apo të tjetrit me këto shtete kyçe evropiane.
Ndryshe sipas qeverisë, agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, por ai është shprehur i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.
“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes” ka bërë të qeveria”, kanë thënë për RTK.
Ditë më parë, pa dhënë hollësi, Bashkimi Evropian konfirmoi se ka bërë një propozim modern evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se pret nga palët që për të dhe për çështjet tjera të veprohet shpejt.























