Konjufca: Ambasadori Minxhozi, përfaqësues i interesit kombëtar
BKT
Lajme

Konjufca: Ambasadori Minxhozi, përfaqësues i interesit kombëtar

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin lamtumirës të ambasadorit të deritashëm të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Konjufca duke vlerësuar lart kontributin e gjatë dhe rolin e ambasadorit Minxhozi në përfaqësimin e interesit kombëtar, theksoi se raportet Kosovë-Shqipëri janë përtej atyre diplomatike, përkatësisht më shumë raporte të brendshme se sa të jashtme.

“Veprimtaria diplomatike e ambasadorit Minxhozi në Kosovë do të shenjohet jo vetëm nga kuadri formal i përfaqësimit të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Shqipërisë, por edhe nga angazhimi personal prej diplomati që Shqipërinë e do prezente edhe në shoqërinë kosovare e në jetën e njerëzve të thjeshtë”, theksoi kryetari Konjufca.

Tutje kryetari Konjufca shtoi se ambasadori Minxhozi i ka dhënë mbështetje të madhe shtetit të Kosovës dhe është angazhuar për një dekadë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Shqipëri.

Sipas kreut të Kuvendnit shteti i Kosovës ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga Ambasada e Shqipërisë për aktivitetet kulturore dhe sfera tjera nga jeta shoqërore.

“Gjurmët e ambasadorit Minxhozi gjatë shërbimit të tij në Kosovë do t'i gjejmë kudo dhe gjithnjë në përafrimin sa më të madh të shoqërive e shteteve tona. Energjia e tij e pashtershme dhe puna e tij e palodhshme bëjnë që ambasadori Minxhozi të kujtohet e nderohet në Kosovë jo vetëm si ambasadori me shërbimin më të gjatë në kohë, por edhe si figura më e dashur, e mbase edhe diplomati më popullor i Shqipërisë në Kosovë”, tha në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.


MË SHUME NGA Lajme