IKD: Kuvendi adresoi disa rekomandime në miratimin e PNKPP-së
M.Miftari/RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar për punimet në seancën e djeshme në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës, ku sipas këtij instituti disa nga rekomandimet, Kuvendi i ka adresuar në miratimin e këtij projektligji, derisa disa nga dispozitat e tjera shihen me mëdyshje.
Përmes një komunikate për medie, KDI njofton se në seancën e së enjtes, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjet për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke sqaruar se me miratimin e këtyre projektligjeve, Kuvendi ka miratuar në tërësi edhe amendamentet e propozuara nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Tutje në komunikatë thuhet se në shumë prej këtyre amendamenteve janë marrë për bazë rekomandimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sikundër bie fjala për heqjen e disa dispozitave nga këto Projektligje, përfshirë këtu, heqjen e paraburgimit automatik, zbutjen e dënimit, publikimin e aktgjykimit për dhunuesit dhe regjistrin e qasshëm për publikun.
Më tej IKD sqaron për analizat që ka bërë në miratimin e ligjit në fjalë, që në vitin e kaluar, duke paralajmëruar për pasojat në problemet kushtetuese, ku, sikundër njofton IKD dy projektligje që ishin miratuar në Qeveri, përmbanin dispozita me shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Po kështu, IKD kishte gjetur se publikimi i aktgjykimeve në rastet e dhunës në familje krijon kundër efekt për viktimat e dhunës në familje.
Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimi i Kodit Penal i miratuar nga Kuvendi ka përcaktuar se në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje aplikohen dënime plotësuese të cilat nuk janë në harmoni me synimet e dënimeve plotësuese.
“Për këto arsye, adresimi i disa prej komenteve të dala nga analiza e IKD-së për Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale konsiderohet si pozitive. Megjithatë, IKD i sheh me mëdyshje dispozitat e mbetura në plotësim/ndryshimet e miratuar nga Kuvendi e të cilat kanë qenë objekt i analizës nga IKD”, thuhet mes tjerash në komunikatë.























