Shtetet e BE-së dënojnë sulmin në Banjskë, kërkojnë zbatimin e marrëveshjes
Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel
Liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dënuar fuqishëm sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe kanë shprehur shqetësimin e thellë me situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzat e miratuara pas Samiti të BE-së.
Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për deeskalim, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.
“Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, porositet nëpërmjet të këtyre konkluzave.
Liderët e BE-së shprehin keqardhje për shkak të mungesës të zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. I behët thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i zbatojnë ato, pa vonesa dhe parakushte e kjo, siç thuhet në konkluza, përfshinë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, thuhet në konkluzat e miratuara nga ana e 27 shefet e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.
Në ditën e dytë të samiti të rregullt ata kanë trajtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast para tyre ka raportuar shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Ky debat u zhvillua një ditë pasi liderët kyç evropian takuan ndarazi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lidhur me këto bisedime u prononcuan edhe pjesëmarrësit nga ana evropiane.
Kështu, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nënvizoi se dy liderët kanë konfirmuar gatishmërinë që të implementojnë të gjitha marrëveshjet e dakorduara.
“Dhe ditët, dhe javët në vijim do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për të parë nëse me të vërtetë ato marrëveshje janë zbatuar dhe do të jetë përgjegjësi e palës së BE-së të vlerësojë se cilat janë pasojat: cilat janë pasojat nëse zbatohet dhe cilat janë pasojat nëse nuk zbatohet”, porositë presidenti i Këshillit Evropian.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka cilësuar “hap në drejtim të duhur” përkushtimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.
“Tani duhet të sigurohemi se kjo edhe do ndodhë”, ka thënë Scholz në fund të samitit të BE-së.
Edhe presidenti francez, Emmaneul Macron porositi se pritet nga palët që të zbatojnë në tërësi Marrëveshjen bazë të Brukselit, marrëveshjen e arritur në Ohër si dhe nisjen e punës në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.























