Policia: Janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor
BKT
Foto: Urim Misini
Në Fokus

Policia: Janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor

SH.Ç/RTKlive

(E plotësuar, ora 17:20) Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka thënë se Stacioni Policor në Zubin Potok është i vendosur në një objekt privat, me qira dhe i cili objekt nuk ka plotësuar kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit.

“Policia e Kosovës me kohë ka filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës (ndërtimin e një objekti të ri) në Zubin Potok. Lidhur me procedurat e ndërtimit të objektit të SP Zubin Potok, që kanë filluar kohë më parë, janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor si: Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore, Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020, Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë, Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se pas bartjes së pronës në emër të PK-së,  është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,

“Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së  dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin”, thuhet në njoftim.

Policia thekson se Stacioni Policor dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty (Zubin Potok), do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.

Po ashtu në njoftim thuhet se Policia e Kosovës në kuadër të vizionit e misionit të saj, ka për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Policia e Kosovës ndër objektivat strategjike ka për qëllim edhe krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe të lehta ndaj qytetarëve. Po ashtu, për të qenë sa më afër qytetarëve, ka planifikuar edhe rregullimin e infrastrukturës e cila do të shërbejë për ofrim të shërbimeve sa më efikase e komode për qytetarët”, përfundon njoftimi.

Në Zubin Potok po ndërtohet një stacion i policisë

Në mëngjesin e sotëm makineritë e rënda filluan pastrimin e terrenit pranë shkollës fillore “Jovan Cvijiq” në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për RTK-në bëhet  fjalë për ndërtimin e një stacioni policor.

“ Policia e Kosovës konfirmon se në këtë lokacion është duke u ndërtuar një stacion policor. Është një vendim i vitit 2018 dhe tani kanë marrë miratimin për të nisur punimet”, ka thënë shkurt Elshani.

Kurse, Lista Serbe ka reaguar për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok. Sipas saj, kjo ka nxitur pakënaqësi tek komuniteti serb.


MË SHUME NGA Në Fokus