Kurti: Kosova e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes
B. H. | RTKlive
(E plotësuar, 13:37) Kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth takimit të sotëm me ambasadorët e akredituar të shteteve të QUINT-it në Kosovë.
I pari i ekzekutivit përmes një postimi në platformën “X” ka thënë se ambasadorët i ka njoftuar me më të rejat rreth dialogut, derisa ka thënë se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje.
“Sot u takova me ambasadorët e akredituar në Kosovë për t'iu ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme. Fillova duke shprehur mirënjohjen për BE-në dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë se po të ishte në dorën e Kosovës deri tash do të kishte marrëveshje.
“Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur një marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova është ende e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon të refuzojë”, ka thënë Kurti.

Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it
Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur takim të paparalajmëruar me ambasadorët e akredituar të shteteve të QUINT-it.
Gazetarja e RTK-së, Elmina Osmani raporton se ky takim ka përfunduar, derisa asnjë nga ambasadorët nuk ka pranuar të deklarohet për media.
Ky është takimi i parë i kryeministrit Kurti me ambasadorët e QUINT-it pas takimit që pati javën e kaluar në Bruksel me kancelarin gjerman, Scholz, presidentin francez Macron dhe kryeministren italiane, Meloni.
























