Analistët: Dialogu në ngërç, Asociacioni mjet i Serbisë për shpëtim imazhi
BKT
Lajme

Analistët: Dialogu në ngërç, Asociacioni mjet i Serbisë për shpëtim imazhi

B. H. | RTKlive / Dragana Mihajlovic|RTK2

Për njohësit e rrethanave politike, rezultati i bisedimeve të fundit në Bruksel nuk është lajm, por diçka me të cilën tashmë është mësuar opinioni, që të dyja palët nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Kosova përpiqet për njohje reciproke, ndërsa Serbia insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Procesi i dialogut po zgjat shumë dhe është dashur të arrihet progres konkret shumë më herët, tha analisti Gëzim Baxhaku në programin e mëngjesit në RTK2.

“Kosova ka zbatuar shumicën e këtyre marrëveshjeve. Problemi më i madh për Kosovën është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, marrëveshjet e tjera nuk janë kontestuar asnjëherë”, tha ai.

Tutje Baxhaku tha se Serbia bëri shumë pak dhe u soll në kundërshtim me atë që ishte rënë dakord në dialog.

“... dhe këtu është problemi më i madh për zyrtarët evropianë, të cilët duket se nuk kanë arritur të vlerësojnë rëndësinë e një sjelljeje të tillë. Kushtëzimi i Serbisë dhe Kosovës vetëm me anëtarësimin në BE, e jo me disa masa të tjera, nuk solli përparim në dialog, doli se nuk ishte i mjaftueshëm”, vlerësoi Baxhaku.

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike, mendon se nuk është reale të pritet një kompromis lidhur me Asociacionin.

“Kompromisi nuk është opsion në këtë moment, nuk ka qenë realist, nuk kanë dashur ta dëgjojnë, mos e bëni atë pyetje, as çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës. Nuk ka vullnet politik për bashkëpunim nga të dyja palët, sepse nuk ka marrëveshje as në Grupin e Kontaktit se si të zgjidhet fillimisht problemi i sigurisë, sepse është i shtrenjtë”, theksoi Janjiq.

Ndërkaq, Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin thotë se dialogu është në ngërç për shkak të çështjes së formimit të Asociacionit, derisa shton se zgjidhja është e mundur me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

“Asociacioni nuk mund të ofrojë dhe as të sigurojë hapësirë ​​më të madhe të të drejtave për komunitetet joshumicë sesa garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisarit, edhe pse kjo pjesërisht zbatohet. Asociacioni i komunave me shumicë serbe që nga fillimi ka qenë një mjet dhe instrument për të shpëtuar imazhin e Serbisë në dialog, i cili ishte i qartë se do të çonte në njohjen e realitetit, njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe ky është një mjet me të cilin Serbia edhe pas tri dekadash do të shkojë dhe do t’u thotë serbëve në veri të Kosovës se janë pjesë e Serbisë dhe se do të përfundojnë në Serbi,  kurse e vërteta është se ata janë pjesë e Kosovës dhe se do të përfundojnë në shtetin e Kosovës”, thotë Weber.

Të rikujtojmë se bisedimet e ndara të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, të enjten e kaluar, me përfaqësuesit evropianë në Bruksel, ku ishin edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni përfunduan pa marrëveshje.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se marrëveshja nuk ishte e mundur sepse "parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për palën tjetër".


MË SHUME NGA Lajme