Ahmetxhekaj për Festivalin: RTK përmbushi misionin e ëndrrën e kahmotshme
BKT
Lajme

Ahmetxhekaj për Festivalin: RTK përmbushi misionin e ëndrrën e kahmotshme

RTKlive

Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se me Festivalin e Këngës, RTK-ja përmbushi misionin e saj dhe ëndrrën e kahmotshme.

Ahmetxhekaj ka falënderuar artistët që ndër breza kontribuan për artin dhe kulturën, për çka edicioni i parë historik iu dedikua atyre.

“Jam falënderues për fjalët e mira dhe vlerësimet që kemi marrë këto ditë (edhe kritikat), sidoqoftë e ndjejmë se të gjithë ne në RTK, struktura drejtuese dhe stafi i angazhuar në këtë projekt, e kemi kryer detyrën tonë”, ka shkruar Ahmetxhekaj në profilin e tij në ‘Facebook”.

Ai ka falënderuar të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët i dhanë shpirt tri netëve fantastike nga salla e festivalit, duke sjellë emocione të papërsëritshme dhe duke na rikujtuar se arti bën mrekulli.

“Ky festival që themeluam, para se gjithash është pasuri e Kosovës, mundësi për artistët e rinj dhe me nam, ndërkohë na mbetet mision që fituesit t'i dërgojmë në Eurosong. Urime për fituesin Arbër Salihun, kënga fituese e të cilit na përkujton se secili kemi përgjegjësi për ta bërë Kosovën shtet që ëndërrojmë”, tha ai.

Ai tutje theksoi se me këtë festival, në RTK është dëshmuar se ka përkushtim maksimal në këtë qëllim, prandaj tha që "natyrshëm presim mbështetjen që e meritojmë".

“Një falënderim të veçantë për Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës që pa hezitim ndihmuan në jetësimin e këtij projekti”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj.


MË SHUME NGA Lajme