Njësia elitare e Policisë proteston para Qeverisë
V. TH. /RTKlive & A.S. /RTK
(E plotësuar) Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, e njohur si FIT kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës të mërkurën.
Ata shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë javën e kaluar, njëherësh kanë kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Pakënaqësi ka shprehur edhe Njësia për Eksplozivët dhe Deminim e Policisë.
Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësive, është thënë se premtimet e Qeverive ndaj tyre nuk janë realizuar deri më tani.
“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se dhjetë vite që kemi marr premtime për benifitet të cilat na takojnë. Mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”.
Ata thanë se arsyet e mospërmbushjes së kërkesave të tyre ka qenë mungesa e Ligjit të pagave.
“Fillimisht arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të Pagave. Mirëpo edhe nëntë muaj pas miratimit të këtij Ligji nuk janë marrë parasysh kërkesat tona”, thanë ata.
Sipas tyre përkundrazi ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë.
“Madje edhe shtesën e veçantë të cilën e kemi gëzuar që nga viti 2010, u ndalua e tëra”.
Tutje ata u deklaruan se janë unik në kërkesat e tyre sepse siç thanë ata ato janë kërkesa legjitime dhe të nevojës urgjente.
Po ashtu ata deklaruan se nuk zmbrapsen pa u realizuar kërkesat e tyre.
Njësitë elitare të policisë së Kosovës ftuan kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkret në realizimin e kërkesave.
“I nderuari kryeministër ju i dini shumë mirë kërcënimet dhe rreziqet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrave zyrtare por edhe në jetën private. E kjo është pikërisht për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne e kemi dëshmuar veten në shumë raste në të kaluarën dhe se fundi në neutralizimin e grupit terroriste 24 shtator. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherë pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara”.
Ata kërkuan që propozimi i dhënë për shtesat e rrezikshmërisë të rishikohet dhe të pranohen kërkesat e tyre dhe që presin që së shpejti të takohen dhe t’i zgjidhin së bashku.
“Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve. Rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”.
Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.
























