Krerët e opozitës reagojnë pas protestës së Njësisë Elitare të Policisë
B. H. | RTKlive
Liderët e partive opozitare kanë reaguar pas protestës së sotme të Njësisë Elitare të Policisë së Kosovës (FIT) para Qeverisë së Kosovës. Ata e kanë vlerësuar protestën si të drejtë, derisa kanë shprehur zhgënjimin e tyre që pjesëtarët e njësisë elitare të policisë janë detyruar të dalin para ndërtesës së Qeverisë për kërkesat e tyre.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook ku ka publikuar fotografi nga protesta e policëve, teksa ka thënë se një “fotografi të tillë nuk është dashur ta shohim kurrë, posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë”.
“Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta. Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur këtë protestë “trishtim dhe dëshpërim”.
“Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, këtë protestë e konsideruar të drejtë. “Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”, ka shkruar shkurt i pari i AAK-së.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës (FIT) kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj ekzekutivit për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë javën e kaluar, njëherësh kanë kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Pakënaqësi ka shprehur edhe Njësia për Eksplozivët dhe Deminim.























