Kërkesat e Policisë së Kosovës, Zeqiri e Shala: Janë të drejta e legjitime
M.Miftari/RTKlive
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri dhe Drizan Shala, njohës i sigurisë, për kërkesat e Policisë së Kosovës dhe paraqitjen e sotme të njësive elitare të saj para qeverisë, thanë se janë të drejta e legjitime.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, për kërkesat e njësive elitare të Policisë së Kosovës tha se janë kërkesa të kahershme të sindikatës së, por ishte kërkesa e tyre që t’i paraqesin kërkesat me veprimet që kanë bërë sot.
“Ata patën një paraqitje e nuk do ta quaja protestë, por paraqitje publike para qeverisë, nuk ka pasur brohoritje e, për më tepër, nuk ishin në rrugë”, deklaroi Zeqiri në “Info Plus”, RTK.
Ai më tej shtoi se kërkesat e tyre i vlerësojmë të drejta dhe legjitime, sepse këto kërkesa vlejnë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Pakënaqësitë rreth mospërmbushjeve të kërkesave tona edhe si sindikatë kemi përcjellë kërkesat e Policisë së Kosovës”, deklaroi Zeqiri, teksa shtoi se që më parë kanë pasur kërkesa përmes peticionit që është dërguar në Kuvend, muaj më parë e që janë nënshkruar mbi 60 % e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa pjesa tjetër, njoftoi ai, kanë qenë në angazhime operacionale në veri të vendit për ç’gjë nuk ka qenë ë mundur t’u ofrohet peticioni.
Zeqiri, më tej, bëri të ditur se kjo paraqitje e sotme do të mund të parandalohej, sikur dikush nga qeveria të dilte të bisedonte me ta.
Shala: Ministri i Punëve të Brendshme do të duhej të shkarkohej
Ndërkaq, Drizan Shala, njohës i sigurisë, lidhur me paraqitjen publike të njësive elitare të Policisë së Kosovës para qeverisë, tha se kjo është hera e parë që po shpërfaqet neglizhenca e mosbindja e nivelit politik ndaj kërkesave të Policisë së Kosovës
“Këto kërkesa të Policisë së Kosovës janë legjitime, kërkesa që do të duhej të plotësoheshin nga Ministria e Brendshme”, deklaroi Shala në “Info Plus”, RTK.
Sipas tij, pas kësaj ngjarjeje veprimi i parë që do të duhej të veprohej, ministri i Punëve të Brendshme do të duhej të shkarkohej ose të jepte dorëheqje.
Ai më tej shtoi se kërkesat e njësive elitare kishin qenë të kahershme.























