Përfundon seanca e Kuvendit
BKT
Edona Podvorica
Lajme

Përfundon seanca e Kuvendit

M. M. /RTKlive

(E plotësuar, ora 14:55) Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës përfundoi punimet me miratimin e Raportit Financiar për vitin 2022, të paraqitur nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Mirëpo disa nga pikat e rendit të ditës, që ishin projektligje për marrëveshje ndërkombëtare janë mbetur të shqyrtohen në seancat e radhës.

Projektligji i Kodit Doganor dhe i Akcizave, u miratua në parim me 62 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Projektligji për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare u miratua me 62 vota për e asnjë kundër e asnjë abstenim.

Tutje, u shqyrtua rekomandimi për shkarkimin e një anëtari joprokuror që gjedhet nga Kuvendi, e që po kështu nga Kuvendi, sipas nenit 10 të ligjit për Këshillin Prokurorial, bëhet shkarkimi.

Adnan Rrustemi arsyetoi këtë rekomandim për shkak se zgjedhja e tij është si anëtar joprokuror në Këshillin Prokurorial është bazuar në KPK në bazë të këtij ligji Kuvendi zgjodhi anëtarin e ri me qëllim që i njëjti t’i ushtrojë kompetencat në pajtim me ligjin për të avancuar në Sistemin Prokurorial.

Sipas Rrustemit, Adnan Beka nuk ka ushtruar detyrën në pajtim me Kushtetutën dhe ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij dhe për këto dhe një mori arsyesh tjera, ai nuk duhet ta përfaqësojë Kuvendin në KPK.

Komisioni për Legjislacion ka rekomanduar për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por që në mungesë të kuroumit kjo nuk u arrit.

Raporti Financiar i Buxhetit të Kosovës, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Financave, Hekuran Murati, u miratua me 62 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Me këtë pikë të rendit të ditës Kuvendi përfundoi punimet për ditën e sotme.

Vazhdon seanca plenare

(E plotësuar), ora 13:55) Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, por që në mungesë të opozitës ato nuk mund të ratifikohen.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që në fillim të seancës bëri të ditur se ka një mori projektligjesh që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare, por që për miratimin e tyre duhet  pjesëmarrja e opozitës në Kuvend.

Megjithatë seanca në Kuvend po vazhdon me miratimin e projektligjeve, më konkretisht ai i teksteve shkollore, cili, në mungesë të kuorumit, nuk u miratua.

Siç dihet, deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e kuvendit, pasi partia në pushtet votoi kundër mocionit të PDK-së, për mbështetjen e kërkesave të grevistëve të Trepçës, ndërsa abstenuan në votim për rezolutën e propozuar nga AAK-së, për diskutim për protestat e zyrtarëve policor.

Kuvendi shkon në pauzë

(E plotësuar, ora 12:25)  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, propozoi që të ndërpritet seanca e Kuvendit, për shkak të mungesë së kuorumit për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, meqë opozita kishte lëshuar seancën që në fillimin e saj.

Disa projektligje nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për miratim, për shkak të mungesë së kuorumit, ngase nuk kanë arritur të merrnin më shumë se 60 vota për.

Kështu Projektligji për Vlerësim Strategjik Mjedisor, Projektligji për Performancën Energjetike të Ndërtesave, si dhe Projektligji për Administrimin e Ndërtesave të Banimit në Bashkëpronësi, nuk morën shumicën e votave për miratim, derisa  Projektligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil është miratuar, i cili mori 62 vota për, duke u bërë projektligji i vetëm që u miratua në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Nuk kalon Projektligji për Vlerësimin Strategjik Mjedisor

(E plotësuar, ora 11:55)  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, qe detyruar ta qesë në rivotim Projektligjin për Vlerësim Strategjik Mjedisor, për shkak se nuk kishte kuorum për votim, për këtë arsye, Projektligji, as në votimin e dytë nuk mori shumicën e votave për miratim.

Paraprakisht, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, në seancën e Kuvendit, tha se në vazhdën e ndërtimit të infrastrukturës ligjore në përputhje me legjislaturën e BE-së për Mjedisin, veçanërisht për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për identifikimin e vlerësimin e ndikimeve në Mjedis, është e nevojshme për plotësimin e projektligjit në përputhje me direktiva të reja nga BE.

“Për të qenë në përputhje me direktivën e re të BE-së, Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë ka marrë qëndrim  që  të ndryshojë e plotësojë ligjin ekzistues për vlerësim strategjik mjedisor”, deklaroi ministri Aliu, derisa shtoi se ky vendim është marrë pas vlerësimit të përshtatshmërisë së legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së.

Ai, duke ftuar deputetët për ta miratuar këtë projektligj tha se është hartuar në bazë të standardeve evropiane, në përshtatshmëri të teknikave juridike, i zbatueshëm në sistemin juridik  në vendin tonë.

Ministri Aliu tha se për këtë projektligj janë konsultuar me ekspertë të huaj e vendorë.

S’kalojnë mocionet për Trepçën dhe Policinë, opozita lëshon Kuvendin

E. Podvorica /RTK

(E plotësuar, ora 11:17) Deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, pasi partia në pushtet votoi kundër mocionit të PDK-së, për mbështetjen e kërkesave të grevistëve të Trepçës, ndërsa abstenuan në votim për rezolutën e propozuar nga AAK, për diskutim për protestat e zyrtarëve policorë.

Propozimin për mocionin për Trepçën e bëri shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se gjendja është shumë e rënduar në këtë ndërmarrje. Me këtë propozim u pajtua edhe partia tjetër  opozitare, LDK-ja.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që krahas minatorëve të diskutohet edhe për zyrtarët policorë, protestën e tyre.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ishte kundër këtij propozimi. Ajo tha se kanë bërë çdo përpjekje për plotësimin e kërkesave për minatorët, porse kjo nuk ka qenë e mundur, njëherësh ajo kërkoi që të vazhdojë seanca e rregullt, sipas rendit të ditës.

Seanca po vazhdon  me pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023.

Live| Kuvendi i Kosovës

A.B / RTKlive

(E plotësuar, ora 10:45) Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e Kuvendit të Kosovës.

 

Mblidhet Kuvendi, në rend dite rezoluta mbështetëse e PE-së për veriun

Kuvendi i Kosovës sot në një seancë të veçantë do të ketë në rend dite, miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po ashtu do  të bëj shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023 janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësim dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023: Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra.

Do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, raporton RTKlive.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023: Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022 dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.


MË SHUME NGA Lajme