EBU ndihmon RTK-në në fazën finale të reformës
B. H. | RTKlive
Përfaqësues të lartë të EBU-së, kryesuar nga Radka Betcheva, drejtoreshë e EBU-së për Marrëdhënie me Anëtarët në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Sasha Scottt, drejtues i Shërbimeve të Transformimit në EBU, qëndruan për dy ditë radhazi në RTK, me qëllim që të ndihmojë drejtuesit e RTK-së, në kuadër të finalizimit të procesit të reformës së brendshme të RTK-së.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe grupi punues prezantuan punën që është bërë dhe përkushtimin e strukturave drejtuese të RTK-së drejt synimit që kjo reformë të rezultojë me “më shumë prodhim, më pak burokraci”.
Ekspertët e EBU-së vlerësuan punën e deritashme të Grupit Punues të reformës së RTK-së, duke premtuar ndihmë të mëtejmë në këtë qëllim, që transmetuesi publik të jetë sa më afër qytetarëve të Kosovës dhe të përmbushë akoma më shumë misionin që ka.
Reforma strukturore në RTK ka qëllim që të rris efektivitetin organizativ dhe që ta ketë audiencën prioritet.
Vlen të theksohet se në procesin e reformës, RTK po mbështetet edhe nga GIZ-i gjerman.
























