Kurti: Anëtarësimi në Këshill të Evropës është proces historik
B. H. | RTKlive
Kryeministri Albin Kurti mirëpriti sot Dora Bakoyannis, raportuesen për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në misionin e saj fakt-mbledhës në Kosovë.
I pari i ekzekutivit e falënderoi për vizitën e saj duke theksuar që është nder dhe kënaqësi ta mirëpres në Kosovë dhe në kryeministri.
Kurti u shpreh se për Kosovën anëtarësimi në Këshill të Evropës është proces historik i cili i kontribuon mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe se Republika e Kosovës po angazhohet maksimalisht që çdo fazë e anëtarësimit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërkohë që ndau me të më të rejat për sa i takon zhvillimeve politike në vend, performancës ekonomike, progresit demokratik dhe reformave të deritanishme, njofton Kryeministria.
“Raportuesja Bakoyannis falënderoi kryeministrin për mikpritjen. Ajo u shpreh e lumtur me ndryshimin dhe zhvillimin që ka shënuar vendi prej vizitës saj të fundit para 14 vjetëve, teksa theksoi se raporti që do të përpilojë ajo nga qëndrimi i saj këtu do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE”, thuhet në njoftim.























