KPK e cilëson ndërhyrje në sistemin prokurorial deklaratën e Rrustemit
M.P. / RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media i ka reaguar deputetit dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, për propozimin e shkarkimit të anëtarit të KPK-së, Agron Beka.
KPK e ka cilësuar këtë propozim si ndërhyrje në sistemin prokurorial dhe kanë shtuar se, sipas tyre, Beka “nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij, asnjë shkelje dhe aq më pak procedure”.
“Tendenca e djeshme nga deputeti në fjalë, duke mos e ruajtur aspak profesionalizmin, duke iniciuar procedurë për shkarkim në bazë të disa letrave nga disa njerëz të akuzuar tanimë nga prokuroria, që fare nuk kanë të bëjnë me KPK-në dhe duke dashur që t’ia imponojë Kuvendit edhe informatat shpifëse dhe fyese, dëshmon se kjo urrejtje dhe tendencë është për të ndërhyrë në institucionin e pavarur dhe kushtetues - në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga deputeti Rrustemi që pretendimet me prova t’i paraqes te organet e drejtësisë.
“Tendenca për të folur në emër të KPK-së dhe tendencat për t’i zbatuar qëndrimet e keqpërdoruesve të Fakultetit Juridik – UIBM në Mitrovicë janë edhe një dëshmi se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend”, vazhdon komunikata.























