Kurti: 1 milion euro më shumë për Luginën
B. H. | RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur në shifra përkrahjen që Qeveria e Kosovës e ka dhënë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. I pari i ekzekutivit përmes një postimi në Facebook ka thënë se tani shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron e i diskriminon qëllimshëm.
“Një Qeveri që synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë se për herë të parë që prej pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.
“Deri më tani gjatë qeverisjes sonë kemi ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19, gjatë qeverisë sonë të parë në vitin 2020. E kur vërshimet e vitit 2021 goditën Komunën e Preshevës, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve. Siguruam tekstet mësimore në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë. Financuam bursa studimi për 107 studentë shqiptarë. Për ata studentë që studiojnë në Kosovë, i lehtësuam procedurat administrative duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar nga 2500 euro në vetëm 500 euro”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri ka rikujtuar se vitin e kaluar kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar.
“Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme. Çështja e shqiptarëve në Serbi, diskriminimi shtetëror, shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimi i adresave, për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan. Seancës dëgjimore në Senat të muajit maj, i parapriu vizita e delegacionit të përfaqësuesve shqiptarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takime me senatorë në mars, vizitë kjo që u mbështet me fonde të ndara nga Qeveria jonë në muajin shkurt. Financiarisht e mbështetëm edhe fushatën avokuese të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin Evropian, në qershor të këtij viti”, ka nënvizuar Kurti.
Ai në fund ka thënë se mbështetja financiare vitin e ardhshëm do jetë më e madhe për 50%.
“Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet”, ka përfunduar kreu i ekzekutivit.























