Sot bëhen tri vjet nga arrestimi i ish krerëve të UÇK-së
RTKlive
Sonte në orën 19:00, në RTK1, intervistë me avokatin e ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe.
Tri vjet më parë nën akuzat për krime lufte të ngritura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës janë arrestuar dhe dërguar në gjykatën Speciale të Hagës, katër ish liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Që të katër të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, me të filluar procesi gjyqësor ndaj tyre para trupit gjykues kishin deklaruar se ndjehen tërësisht të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj tyre dhe se vullnetarisht i janë përgjigjur thirrjes për gjykim dhe akuzat ndaj tyre, dhe në përgjithësi ndaj UÇK-së, i kanë quajtur të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Në Dhomat e Specializuara të Tribunalit të Hagës deri më tash janë mbajtur me dhjetëra seanca gjyqësore dhe procesi është ende në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.
Sipas avokatit të zotit Thaçi, procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së është duke u zhvilluar ngadalë dhe ashtu mendon se do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen mes pauzave të proceseve gjyqësore pasi ata me dorëzimin vullnetar para tri vjetëve kanë dëshmuar se, janë të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë.
Intervistën me avokatin e ish presidentit Thaçi, Gregory Keohe, do të mund ta ndiqni sonte në ora 19.00 në RTK1.























