Sveçla prezanton përkushtimin e Kosovës për reforma në Administratë Publike
BKT
Lajme

Sveçla prezanton përkushtimin e Kosovës për reforma në Administratë Publike

E. Hoti / RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë pjesë në Konferencën e nivelit të lartë mbi parimet e Administratës Publike, e cila u mbajt në selinë e Organizatës së Bashkëpunimit dhe të Zhvillimit Ekonomik (OECD) në Paris.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se ka prezantuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reformat në Administratë Publike, si garancë e instalimit të meritokracisë dhe barazisë në sistemin e Administratës Publike dhe synimet për një administratë moderne dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Respektimi i parimeve mbetet i një rëndësie thelbësore për zbatimin e reformave në administratë publike. Ato mbulojnë fushat e bashkërendimit dhe zhvillimit të politikave, të menaxhimit të shërbimit publik dhe të burimeve njerëzore, të organizimit, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, të kryerjes së shërbimeve dhe të digjitalizimit, si dhe menaxhimit të financave publike”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Një aspekt i veçantë i kësaj konference, siç ka thënë ministri Sveçla, ishte përfshirja e vendeve të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si Gjeorgia, Moldavia dhe Ukraina, të cilat janë shtete kandidate për integrimin evropian.

Kjo, sipas ministrit Sveçla, ka shërbyer si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, arritjeve dhe sfidave që ballafaqohen në fushën e administratës publike.

Konferenca e sotme u zhvillua dy ditë para prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian, i cili pa dyshim do të reflektojë përparime të reja edhe në këtë fushë të reformave të domosdoshme në Administratë.


MË SHUME NGA Lajme