KE-ja kërkon nga Kosova e Serbia zbatimin e marrëveshjeve
BKT
Lajme

KE-ja kërkon nga Kosova e Serbia zbatimin e marrëveshjeve

Gjeraqina Tuhina | Bruksel | RTK

Komisioni Evropian kërkon nga Kosova por edhe Serbia zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Në draftin e raportit vjetor, i cili zyrtarisht do të publikohet të mërkurën më 8 nëntor, shprehet keqardhje për faktin se palët nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre.  Kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi që urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv pa vonesa të reja apo parakushte.

Kosovës i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë konform propozimit të 21 tetorit, ndërsa nga Serbia që ta mbështetë këtë proces.

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë cilësohet si eskalimi më i rëndë i viteve të fundit.

“Ky sulm nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për cilëndo palë që të hiqet vëmendja nga dialogu. Kosova dhe Serbia duhet të  bëjnë përpjekjet domethënëse për depërshkallëzim, sikur edhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të Serbëve të Kosovës“, thuhet në draft raport.

Nga Serbia kërkohet që të sigurojë që përgjegjësit për këtë sulm të përballen me drejtësinë, por edhe hetimet për sulmet ndaj KFOR-it gjatë trazirave të muajit maj.

Lidhur me tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, Komisioni Evropian  konsideron se bëhet fjalë për “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe paraqet hap të rëndë prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve”.

Nënvizohet gjithashtu se raportet në mes të autoriteteve kosovare dhe komunitetit serb janë seriozisht të dëmtuara.

Në draft përmenden edhe masat të cilat në qershor i ka vendosur Bashkimi Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës. Thuhet se këto janë të përkohshme dhe do të eliminohen sapo të përmbushen të gjitha kushtet. Pranohet se autoritetet e Prishtinës kanë ndërmarrë disa hapa por se akoma duhet bërë në këtë drejtim.

Kosova kritikohet në raport për bllokimin e CEFTA-s, ndërsa përmendet se janë respektuar marrëveshjet e arritura nga Procesi i Berlinit.

Një përparim të kufizuar identifikon Komisioni Evropian në kapitujt e  luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe pavarësinë  e gjyqësorit.

Situata politike në Kosovë vlerësohet si stabile, falë, siç thuhet shumicës solide të partisë në pushtet.

Megjithatë, kritikohet puna e Parlamentit dhe bojkotet e shpeshta.

Sa i përket lirisë së mediave përmenden sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve; problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, si dhe jotransparenca e pronësisë së mediave.

Ndërkohë, shqetësim i veçantë në raport përmendet situata e lirisë së mediave në veri të Kosovës.

Komisioni Evropian në këtë raport vjetor konfirmon se kosovarët do gëzojnë lirinë e  lëvizjes nga 1 janari i vitit që vjen.


MË SHUME NGA Lajme